Lajme
Shokuese: Mehmetaj ia nxjerr Surroit një citat kur i thoshte Zimmermanit se “shqiptarët nuk janë në favor të pavarësisë” më 1990
Demokracia
18:23 | 10 Janar 2024

Share:

Veton Surroi, një politikan i ri shqiptar me anglishte të përsosur, tha që populli i Kosovës nuk e pranon sundimin serb ama as nuk është në favor (ose për) pavarësinë (e Kosovës), një pikëpamje kjo që shpejt do të ndërronte”.

Gazetari Lirim Mehmetaj ka nxjerrë një citat të ish-ambasadorit amerikan Warren Zimmergan në librin e tij kushtuar shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ku ky i fundit kishte rastisur të takojë Veton Surroin i cili asokohe i shprehej se ndonëse populli kosovar “nuk e pranon sundimin serb” pas suprimit të autonomisë; megjithatë vetë populli kosovar “nuk është në favor të pavarësisë”.

Mehmetaj, i cili e ka risjellur këtë citat tejet shokues, ka shkruar se “besojeni ose jo, Surroi u thoshte amerikanëve në takim se ‘shqiptarët e Kosovës nuk janë në favor të pavarësisë së Kosovës’”.

Në pyetjen e amerikanëve se ‘çfarë duan shqiptarët’, Surroi kishte siguruar amerikanët se ‘shqiptarët nuk duan pavarësi’”.

Reagimi i plotë i Mehmetajt:

Veton Surroi në takim me sekretarin amerikan në vitin 1990: Shqiptarët nuk janë në favor të pavarësisë së Kosovës

Me 1996, Warren Zimmermann, ambasadori i fundit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Jugosllavi publikon librin “Origjina e një Katastrofe: Jugosllavia dhe shkatërruesit e saj”.

Në libër Zimmermann tregon për një takim të rëndësishëm në Ambasadën Amerikane në Beograd, me 26 shkurt të vitit 1990, ku sekretari amerikan i shtetit, Lawrence Eagleburger, dëgjonte zërat alternativë opozitarë të përfaqësuesve politik.

Për ata që nuk e kanë lexuar librin më gjerësisht do ta shpalosë në një rast tjetër, por po e ndaj me ju një pjesë kur Zimmermann tregonte për qëndrimet që i mban Veton Surroi në atë takim.

Në faqen 61 të librit Zimmermann shkruan: “Veton Surroi, një shqiptar i ri me anglishte perfekte, tha se populli i Kosovës nuk e pranon regjimin serb, po (gjithashtu) nuk është në favor të pavarësisë (së Kosovës)”.

Besojeni ose jo, Surroi u thoshte amerikanëve në takim se “shqiptarët e Kosovës nuk janë në favor të pavarësisë së Kosovës”.

Ai, në vitin 2016, ishte munduar ta pastronte vetën nga ky përfaqësim jo vetëm i pavërtetë i dëshirave dhe aspiratave të shqiptarëve, por edhe i turpshëm për një shqiptar të Kosovës.

Në një shkrim shfajësues me 29 Shkurt 2016 Surroi shkruante se çfarë ka dashur të thotë në takim ishte që “nuk ishte Kosova, siç akuzohej nga shovinizmi serb, ajo që po e prishte Jugosllavinë”.

Derisa përfaqësimi i tij në 1990-në tregon qëndrimin anti-kombëtar të Surroit, në shfajësimin e 2016-së i shpërfaqet cektësia e tij brutale në tentimin për të prodhuar një gënjeshtër historike dhe e nxjerr vetën edhe më keq se në takimin e sipërfolur.

Si fillim, takimi nuk ishte se për çfarë e akuzon Serbia Kosovën, apo shqiptarët, por cila është kërkesa e shqiptarëve të Kosovës.

Në pyetjen e amerikanëve se “çfarë duan shqiptarët”, Surroi kishte siguruar amerikanët se “shqiptarët nuk duan pavarësi”.

E dyta, edhe sikur t’ia pranonim për valid arsyetimin, në mesin e serbëve shovinistë që akuzonte shqiptarët se po duan ta shkatërrojnë Jugosllavinë ishte ky vetë.

Pra, Surroi paska dashur t’i lajë shqiptarët para ambasadorit amerikan për një akuzë të cilën ky ua bënte çdo ditë.

Në shkrimet e tij të botuara në Rilindje akuzonte vazhdimisht “nacionalistët shqiptarë” dhe i quante “separatistë”.

Ai, i thoshte publikut serb se as greva e minatorëve nuk është për të kthyer autonominë, por për t’u ndarë nga Jugosllavia.

Në shkrimin e publikuar në Rilindje me 5 mars 1989, vetëm 1 vit para takimit me sekretarin amerikan, Surroi shkruante se “sipas të gjitha gjasave, as që mendojnë për Jugosllavinë kur flitet për ‘territore shqiptare’, sepse në përputhje të plotë me hartën e Shqipërisë së Madhe edhe ky sikur çdo nacionalizëm shtetomadh nuk mund të durojë kufij të tjerë përveç atyre etnikë, prandaj edhe në pamfletet separatiste përmendet ‘lufta përfundimtare’ për shkëputje nga Jugosllavia”.

Shkrime të tilla, ku akuzon shqiptarët për separatistë dhe nacionalistë, gjenden me bollëk dhe të gjithë do t’i shpalosë në një shkrim të gjatë për serbofilin Surroi.

Se pse ky ishte një serbofil i regjur edhe e kuptoj disi për shkak të historisë së tij familjare, por çfarë nuk ma percepton truri sot e kësaj dite ka të bëjë me faktin se si është e mundur që ky njeri kaq i cekët ka gjetur hapësirë në jetën publike.

Po, e di se elementi para/lekë, që ky e ka pasur për shkak të vjedhjeve të parave të shqiptarëve në kohën e Jugosllavisë, përbën një faktor, por padijeninë e tij nuk e mbulon dot as një mal me monedha.

Të ngjashme