Lajme
Shoferi i njërës veturë humbi kontrollin | Detaje të reja rreth aksidentit tragjik në rrugën Ferizaj-Shtime
Demokracia
08:45 | 23 Shkurt 2023

Share:

Mbrëmë në rrugën Ferizaj-Shtime ka ndodhur një aksident fatal me katër viktima. Policia e Kosovës sot ka dhënë detaje shtesë se si ka ardhur deri te aksidenti.

Sipas Policisë, deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga veturat për arsye deri më tani të pa njohura, humb kontrollin mbi veturë dhe godet dy veturat tjera të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt.

Policia njofton se si pasojë e aksidentit, pos katër viktimave, lëndime trupore kanë pësuar edhe dy persona të tjerë të cilët janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm.

“Ka ndodhur aksident trafiku në mes të tri veturave me targa vendore, deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga veturat për arsye deri më tani të pa njohura, humb kontrollin mbi veturë dhe godet dy veturat tjera të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt. Nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes është konstatuar se tre viktima meshkuj kosovarë janë pa shenja jete, ndërsa tre të lënduar tjerë janë dërguar në emergjencën e Ferizajt, ku më pas ka ndërruar jetë edhe viktima e katërt mashkull kosovar ndërsa dy të lënduarit e tjerë janë dërguar në QKUK Prishtinë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit”, thuhet në raportin e sotëm të policisë.

Në lidhje me aksidentin e trafikut që ndodhi mbrëmë, e ku kanë humbur jetën katër persona dhe dy të tjerë janë lënduar, prokurori i rastit, Besnik Nuredini, ka deklaruar se në këtë rast janë përfshirë dy automjete.

Ndërkohë, ai tha se vetura e tretë, për të evituar përplasjen ka rënë në hendek.

“Në një automjet dyshohet se kanë qenë katër persona, në automjetin tjetër të aksidentuar janë dy të plagosurit që janë në gjendje të rëndë”, tha ai.

“Derisa vetura e tretë duke tentuar për të shmangur përplasjen, ka lëshuar rrugën dhe ka rënë në hendek”, deklaroi prokurori i rastit Nuredini.

Të ngjashme