Lajme
“Shock bomba” e sirena në veri, heshtje në Presidencë e Qeveri | Osmani, Kurti e Sveçla asnjë fjalë për tensionet
Demokracia
16:44 | 06 Dhjetor 2022

Share:

Tensionet në veri të Kosovës nuk kanë të ndalur. Vetëm sot gjatë ditës në këtë pjesë të vendit kanë ndodhur disa shpërthime të fuqishme, shkruan Demokracia.com.

Krejt kjo pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave veriore të Kosovës, të cilat janë caktuar për datën 18 dhjetor.

Mësohet se sulmet kanë ndodhur me “shock bomba”, të cilat u hodhën në drejtim të zyrave të KQZ-së në Zubin Potok, aty ku ishin edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët ishin në mbështetje të KQZ-së deri sa po bëhej edhe vendosja e zyrtarëve të lartë të përzgjedhur nga ky komision për t’i zëvendësuar të dorëhequrit.

Por, edhe pas tërë këtyre zhvillimeve dhe rrezikimit të procesit, ku u shpërfaqë pafuqia e Qeverisë, ende as presidentja Vjosa Osmani, as kryeministri Albin Kurti dhe as ministri Xhelal Sveçla nuk e kanë thënë asnjë fjalë rreth kësaj çështjeje.

Gjatë ditës së sotme ka qenë e paraparë që zyrtarët e përzgjedhur të lartë komunalë, së bashku me zyrtarë të KQZ-së dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal, të vendosen nëpër komunat me shumicë serbe të cilat tash e sa javë janë duke funksionuar pa kryetarë të komunave për shkak se kanë dhënë dorëheqje.

Por, në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë është lëshuar edhe alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Kujtojmë që dy shpërthime u dëgjuan pasditen e së martës në Zubin Potok, ndërsa tri të tjera në Mitrovicë të Veriut, që të dyja komuna të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Shpërthimet në Zubin Potok ndodhën në kohën kur anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, nën përcjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, hyn në hapësirat e objektit komunal.

Pas këtyre zhvillimeve, KQZ ka paralajmëruar se do të mbajnë një mbledhje për të diskutuar për situatën e krijuar në veri të vendit në orën 18:00.

Katër komunat në veri, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi, janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit kur ata kanë dhënë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat në RKS në veri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve në Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Leposaviq.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar, i kundërshton këto zgjedhje./Demokracia.com/

Të ngjashme