Lajme
Shndërrimi i TMK-së në FSK | “Keni zënë vend në librat e historisë”, fjalimi i zjarrtë i gjeneralit Reinhardt në krijimin e TMK-së (VIDEO)
Demokracia
14:02 | 20 Janar 2024

Share:

Sot janë bërë 15 vjet nga shndërrimi i TMK-së në FSK. Bazuar në marrëveshjen e Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë ishte paraparë çarmatimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe transformimi i saj në TMK.

Demokracia.com ka siguruar videon e ceremonisë së legalizimit të TMK-së, katër muaj pas themelimit të saj, ku Agim Çeku dhe 44 eprorë të TMK-së kishin dhënë betimin solemn. Ceremoninë e kishte transmetuar atë kohë Radio Televizioni Shqiptar (RTSH). Pjesëmarrës gjatë ceremonisë ishin edhe Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, ambasadori Kouchner dhe gjenerali Reinhardt.

Fillimisht, asokohe kryeministri i Qeverisë së Përkohshme, Hashim Thaçi, kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte treguar për demilitarizimin e UÇK-së. Ai ndër të tjerash kishte treguar se UÇK në mesin e shtatorit 1999 ishte transformuar në TMK.

UÇK në mesin e shtatorit 1999 ishte transformuar në TMK, trup kjo e cila njihet edhe ndërkombëtarisht, trup kjo e cila do të integrohet në proceset integruese të mbrojtjes së aleancës Veri-Atlantike. Këto ditë është bërë edhe betimi i këtyre trupave mbrojtëse të Kosovës, betim ky që është vazhdimësi e betimit që është bërë në luftë për çlirimin e Kosovës, betim ky që do të garantoi mbrojtjen e territorit të Kosovës dhe kjo strukturë ka një perspektivë të mirë, ka një të ardhme të mirë, ka një të ardhme të sigurt, sepse do ta ketë mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës, do ta ketë mbështetjen edhe të mekanizmave ndërkombëtarë që janë në Kosovë“, ishte shprehur Thaçi.

Katër muaj më pas në Prishtinë u bë legalizimi dhe legjitimimi i TMK-së. Agim Çeku dhe 44 eprorë të lartë të TMK-së dhanë betimin solemn.

Ambasadori Bernard Kouchner para të pranishmëve kishte thënë se kjo ditë është e rëndësishme për Kosovën, për të gjithë ne e sidomos për demokracinë në Kosovë.

Vitet e hidhura të shtypjes, burgosjes, sakrificat e mëdha nëpër male nuk mund të përshkruhen, mirëpo tani në duart tuaja është edhe një rast që të kontribuoni për ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e Kosovës. Këtë do ta bëni me disiplinë, përkushtim dhe zemërgjerësinë që kanë vetëm ushtarët dhe për këtë do ta keni mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare“, ishte shprehur Kouchner.

Fjalë të mëdha për ushtarët e UÇK-së kishte thënë edhe gjenerali Klaus Reinhardt.

Ju luftuat kundër nënshtrimit dhe e fituat këtë luftë. Askush nuk mund t’ua mohojë dhe marrë këtë. Të gjithë e kuptojnë krenarinë të cilën e ndjeni në lidhje me këtë arritje. Ju ishit ushtarët që luftuat për paqen dhe lirinë e popullit tuaj, për një Kosovë të lirë dhe të barabartë, ju sot keni zënë vend në librat e historisë së Kosovës dhe tani duhet të filloni një kapitull të ri, një mision të ri, betejën për rindërtimin e Kosovës“, ishte shprehur gjenerali Klaus Reinhardt.

Komandanti i TMK-së, gjeneral Agim Çeku, kishte uruar oficerët e tij në këtë ngjarje solemne dhe u kishte bërë thirrje pakicave që t’i bashkohen TMK-së.

Është inkurajues fakti se për të shërbyer në TMK janë paraqitur edhe një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të minoriteteve. Unë u bëj thirrje me këtë rast edhe pjesëtarëve të tjerë të pakicave se si qytetarë të Kosovës, në vendin në të cilin dëshirojnë të jetojnë e të gëzojnë të gjitha të drejtat, t’i bashkangjiten TMK-së të vetmit institucion mbrojtës në Kosovë. Pjesëmarrja e tyre në TMK është sot një akt i pjekur politik dhe prova më e mirë se ata janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë për krijimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë“, kishte thënë Agim Çeku.

Në mesin e 44 eprorëve të TMK-së ishin edhe Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e shumë personalitete të njohura të luftës çlirimtare. /Demokracia.com/

VIDEO:

https://www.facebook.com/demokraciacom/videos/726369322924024

Të ngjashme