Lajme
Shmangia e termit “dhunë” për të zhdukurit | Konjufca e demanton Andin Hotin, do të përdoret termi “të zhdukurit”
Demokracia
15:38 | 05 Prill 2023

Share:

Kosova dhe Serbia mbrëmë në Bruksel kanë arritur edhe një pajtim për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë luftës.

Kosova kishte këmbëngulur vazhdimisht që në tekst të përmendet termi “të zhdukurit me dhunë”.

Ende nuk janë dhënë shumë detaje, por duket se ky term është larguar nga teksti, shkruan Demokracia.com.

Kjo të paktën mund të konkludohet nga deklarata e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ai duke folur për kërkesën e Serbisë që të mos përdoret termi “persona të zhdukur me dhunë” në marrëveshjen në mes të dyja vendeve, tha se ky term do të përdoret ashtu si nëpër konventat ndërkombëtare dhe, sipas tij, Serbia e kërkon mospërdorimin e tij për t’i ikur përgjegjësisë.

“Informacioni im është që ky term do të përdoret në marrëveshje, pra termi ‘të zhdukurit’, siç përdoret nëpër konventa ndërkombëtare, sepse Serbia është munduar të përdorë terminologji të tjera për t’i ikur përgjegjësisë”, ka përfunduar Konjufca.

Në Aneksin e Implementimit për të cilin ishte pajtuar Kurti me Vuçiqin në Ohër, thuhej se “palët pajtohen që të miratojnë Deklaratën për Persona të Zhdukur, sipas negocimit nën dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjence”.

Kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, nuk ka treguar në mënyrë të qartë se çka janë pajtuar Kosova dhe Serbia dje në Bruksel në lidhje me personat e zhdukur gjatë luftës. Për këtë çështje, ai ka fshirë një status duke e ndërruar me një tjetër.

Fillimisht, Hoti ka shkruar se Serbia e ka pranuar “deklaratën për personat e zhdukur me dhunë”.

Por, shumë shpejt e ka fshirë këtë status dhe ka shkruar një status të ri, në të cilin fjalën “me dhunë” e ka fshirë.

“Dje, pas më shumë se 1 vit negocimi në Bruksel, Serbia më në fund pranoi deklaratën për personat e zhdukur me dhunë (e cila pritet të miratohet nga Kryeministri Kurti dhe Vuçiq në ditët në vijim)”, kishte shkruar në statusin e parë.

Në statusin e dytë, ai shkruan se Serbia ka pranuar deklaratën për personat e zhdukur.

“Dje, pas më shumë se 1 vit negocimi në Bruksel, Serbia më në fund pranoi deklaratën për personat e zhdukur (e cila pritet të miratohet nga Kryeministri Kurti dhe Vuçiq në ditët në vijim). Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritem ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjesisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare. Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb.Gjithashtu, më duhet të theksoj si tepër të rëndësishmë, që me anë të kësaj deklarate Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezentimin e dokumentave serkrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë”, ka shkruar Hoti.

Ai ka treguar se pas pranimit të deklaratës nga niveli i lartë do të të bëhen publike detajet shtesë.

“Sapo të pranohet deklarata nga niveli i lartë, do ti publikojmë edhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për zbatimin e kësaj deklarate. Pavarësisht që me duhet të them që për mua si familjar, ky është vetëm hapi i parë në adresimin politik të çështjes së personave të zhdukur me dhunë, dhe rëndësia e kësaj deklarate arrihet në momentin e respektimit dhe zbatimit të plote të saj, për çka presim përkrahjen e fuqishme dhe të nevojshme nga miqtë tanë ndërkombëtar, SHBA e BE. Mbetet edhe shumë pune dhe përpjekje për tu bërë që të arrijmë në qëllimin tonë kryesor: Zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur me dhunë në Kosovë”, ka shkruar ai.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, pas takimit të djeshëm në Bruksel kanë dhënë disa detaje.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se palët janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur.

Ai ka treguar se nuk e kishin pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme.

“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë. Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit.”, ka thënë Petkoviq.

Kurse, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ka dhënë detaje për këtë çështje.

“Pati një dakordim fillestar që takimi i radhës në nivel të lartë politik të mbahet me 22 prill, por që kjo nuk është edhe aq e sigurt sepse ka indikacione që presidenit i Serbisë nuk është i gatshëm nuk mund të vijë në këtë datë, kështu që jemi duke e shqyrtuar nëj datë tjetër. Ideja është që në këtë datë të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit, ngase ka pak paqartësi në çështjen procedurale, se kujt duhet drejtuar drafti paraprakisht dhe si duhet të prezantohet.”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia të martën kanë arritur marrëveshje për personat e zhdukur.

Ai ka thënë se miratimi i këtij dakordimi do të ndodh në takimin e radhës në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurit, si dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Marrëveshja që kryenegociatorët arritën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm është hapi i parë. Ne do ta miratojmë këtë marrëveshje në takimin e radhës në mes liderësh”, ka shkruar Borell.

Borell, po ashtu, ka deklaruar se BE-ja pret që të dy palët, Kosova dhe Serbia, të respektojnë marrëveshjet dhe të shmangin çdo përshkallëzim. /Demokracia.com/

Të ngjashme