Lajme
Shkronja ‘Z’ e agresionit rus ndaj Ukrainës shfaqet në pjesën veriore të Mitrovicës
Demokracia
00:00 | 02 Prill 2022

Share:

Serbët, në shumicë, vazhdojnë të besojnë verbërisht se Rusia dhe Vladimir Putini po bëjnë ‘punë të mirë’ me agresionin ndaj Ukrainës. Serbia dhe qytetarët e saj janë të vetmit që kanë protestuar në mbështetje të Rusisë, kur e gjitha bota e ka dënuar këtë akt të paprecedent. Shteti i drejtuar nga Aleksandar Vuçiq mbetet ‘vrimë e zezë’ në Evropë edhe sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë.

Vuçiq dhe aleatët e tij bjellorus, iranian dhe të tjerë nga ky bosht, nuk kanë pranuar ta dënojnë agresionin rus në Ukrainë. Po ashtu në rrugët e kryeqytetit serb, Beograd, janë shfaqur shkronjat Z në shenjë mbështetje për ushtrinë ruse. Ushtria e Putinit po identifikohet me këtë shkronjë, por ende nuk dihet saktë domethënia e saj.

Të pandarë nga ky mentalitet, serbët e veriut të Kosovës po e ndjekin shembullin e pjesës tjetër të Serbisë duke u rreshtuar krah Rusisë. Për ta dëshmuar këtë mbështetje, në pjesën veriore të Mitrovicës është vizatuar një mural me shkronjë Z dhe ngjyrat e flamurit rus.

Në këtë mural, që gjendet prapa shkollës Teknike janë edhe dy mbishkrime: ‘Mitrovica e Kosovës – Serbët për rusët’ dhe ‘Z- për Lirinë, Z- për Fitore’. Të kujtojmë se Gjermania e ka ndaluar me ligj përdorimin e shkronjë Z nëpër vende publike, derisa ambasada ukrainase në Beograd i ka reaguar ashpër Serbisë pasi që në shumë vende publike në kryeqytetin serb është shfaqur kjo shkronjë.

Të ngjashme