Lajme
Analiza e ditës: Shkrirja në lista zgjedhore, trend i ri që çon drejt krijimit të blloqeve politike
Demokracia
12:09 | 16 Janar 2021

Share:

Kanë mbetur edhe një muaj nga dita e zgjedhjeve dhe shkrirja e subjekteve politike në lista duket se është sinonim i ri i koalicioneve parazgjedhore, që ishin karakteristikë e deritashme e subjekteve politike.

Në demokracinë e re të Kosovës, e cila kaloi rreth 10 vjet nën administrimin ndërkombëtar dhe gati 13 vjet pavarësi, për herë të parë kemi tkurrje të subjekteve politike gjë që po pamundëson eksperimentet e reja. Në garën e sivjetme po hyjnë vetëm subjektet e mëdha, pa përfshirjen e subjekteve të vogla, që kishin traditë koalicionesh deri më tash.

Kjo padyshim që mund të shihet edhe si pjekje e demokracisë kosovare. Por shkrirja në lista si praktikë e këtyre zgjedhjeve, ua vështirëson në masë të madhe ruajtjen e identitetit politik atyre që shkrihen, shkruan Demokracia.com.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 i kishim gjithsej 35 subjekte dhe iniciativa politike që garonin për legjislativin e vendit. Vetëm tre vite pas, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004 i kishim vetëm 19 subjekte dhe iniciativa politike në garën zgjedhore. Ky trend u rrit dhe në zgjedhjet pasuese, në vitin 2007 ishin 10 subjekte dhe iniciativa politike në garë.

Trendi ndryshoi pas pavarësisë. Tani kishim rritje të numrit të subjekteve politike që garonin në zgjedhjet e përgjithshme të para pas pavarësisë. Në 2010 i kishim gjithsej 29 subjekte dhe iniciativa politike në garën zgjedhore, ndërsa në vitin 2014 kishim gjithsej 30 sosh. Një numër pak më të vogël kishim në vitin 2017, me gjithsej 26 subjekte që garonin. Ndërsa, në vitin 2019 i kishim 25, një më pak.

Në zgjedhjet e sivjetme ndonëse nuk dihet ende numri i subjekteve të regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhje, ajo që dihet se nuk do të këtë koalicione si herët e kaluara.

Në afatin për regjistrim të koalicioneve janë regjistruar vetëm dy, një e partive boshnjake dhe një tjetër e partive që përfaqësojnë komunitetin goran. Por koalicione tjera, si herët e kaluara, nuk pati.

Në vend të koalicionit, pamë shkrirje të partive më të vogla në partitë më të mëdha. Më saktë, parti që kandidatët e tyre i futën në listat për deputetë të partive më të mëdha.

Me këtë trend politik, sidomos subjektet e reja kanë shumë pak hapësirë të veprimit politik. Këtë e dëshmon edhe rasti i iniciativës së Vjosa Osmanit, e cila vetëm si e shkrirë brenda një subjekti të madh kërkoi të gjejë rrugë për të ardhmen e saj politike.

Në fakt, ajo e ngufati iniciativën e saj politike ende pa e hedhur hapin e parë.

Në anën tjetër, me gjithë lutjen publike që Nisma Socialdemokrate i bëri PDK-së, partisë së saj amë, e cila si duket e ka kuptuar që nuk ka alternativë tjetër dhe është drejtë shuarjes, ajo (PDK) i dha përgjigje negative asaj. Matjet e opinionit publik, Nismën Socialdemokrate e nxjerrin shumë poshtë, nën 3 për qind.

I njëjti trend u pa edhe me shkrirjen e partisë së Behgjet Pacollit, i cili tash bën pjesë në listën e LDK-së.

Një fat të tillë e kishte edhe LDD-ja e Nexhat Dacit dhe PSD-ja e Dardan Molliqajt. Kjo e fundit po mundohet të mbijetojë ende politikisht, duke u tërhequr përkohësisht nga gara politike, me shpresë që rrjedhat politike i sjellin momentum më të mirë të veprimit politik.

Demokracia në Kosovë mund të jetë se është duke lëvizur drejt standardizimit jo vetëm të subjekteve politike, por edhe të blloqeve të mëdha politike. Kjo tendencë vërehet edhe në komunikimin e përditshëm politik të liderëve të partive të mëdha, të cilat në mënyrë të përsëritshme janë duke i përjashtuar partitë e vogla nga diskursi publik.

Pra, nëse rezultat i këtyre ndryshimeve del të jetë ngufatja e hapësirës për partitë dhe opsionet e reja politike, atëherë ky trend është shqetësues për Kosovën. Por, nëse ky trend është pjesë e konsolidimit të blloqeve dhe partive politike përgjatë vijave ideologjike, atëherë kjo është shenjë e maturimit të politikës në Kosovë. Kjo iu jep shpresë atyre që ende besojnë dhe kërkojnë opsione të reja politike në Kosovë.  /Demokracia.com/

Të ngjashme