Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më 27 mars e kishte njoftuar KQZ-në se ka pranuar mandatin e deputetit. Kjo u bë e ditur vetëm të martën në letrën që Kurti ia dërgoi Glauk Konjufcës, duke e njoftuar atë se po jep dorëheqje nga pozita e shefit të qeverisë.
Megjithatë, njoftimi i Kurtit për KQZ-në nuk ishte bërë publik asnjëherë nga KQZ-ja. Madje, për këtë letër nuk ishin njoftuar as anëtarët e KQZ-së.
Më 27 mars, KQZ-ja kishte mbajtur një mbledhje, ku ishte njoftuar për dorëheqjet e disa kandidatëve që kishin fituar mandatin e deputetit.
Në këtë mbledhje, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniq, kishte njoftuar se nga pozita e deputetit kishin dhënë dorëheqje vetëm Bedri Hamza(PDK), Gazmend Muhaxheri(LDK) dhe Imri Ahmeti(LDK).
Në adresimin e tij, i pari i KQZ-së askund nuk e kishte përmendur se Albin Kurti i kishte dërgua një email ku i tregonte se e ka pranuar postin e deputetit.
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur i habitur se pse kjo letër e Kurtit nuk është publikuar nga KQZ-ja.
Në emisionin “Pressing” në “T7”, Krasniqi ka thënë se për këtë çështje nuk kanë qenë të njoftuar as anëtarët e KQZ-në.
Ai ka treguar se për këtë çështje i ka pyetur edhe dy anëtarët e PDK-së në KQZ.
“E para e punës, nuk është e protokollume. KQZ-ja si tërësi nuk është e njoftuar. Anëtaret e KQZ-së nuk e kanë ditë. Unë i kam pyetur dy përfaqësuesit e PDK-së(në KQZ) për shkak se e pashë të qajo shkresa ndaj Konjufcës. Po thanë, i ka dërgu emal kryetari të KQZ-së. Ani mirë. Çka shkruan aty? A thotë jap dorëheqje? Jo. Thotë: unë filan fisteku, i lindur me këtë datë dhe këtë numër personal e pranoj mandatin e deputetit”, ka thënë Krasniqi.
Këtë letër të Kurtit e ka konfirmuar edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Pas dështimit të parë të seancës konstituive, ajo ka thënë se me kohë e kanë njoftuar KQZ-në.
“Certifikimi ka ndodhur sepse, para se të ndodhte ai, ne e kemi njoftuar KQZ-në se e pranojmë mandatin e deputetit. Rrjedhimisht, meqë sot është mbajtur seanca konstituive, ne i kemi kryer të gjitha obligimet përkatëse, përfshirë dorëheqjet – secili prej nesh. Kemi pasur edhe komunikim me përfaqësuesin e PDK-së lidhur me këtë çështje. Tha se letra nuk i ka bindur. Ç’të bëjmë? Nuk i ka bindur letra – po çfarë i bindë atëherë? Pra, është e qartë se nuk ka pasur interes që Kuvendi i Kosovës të konstatohej, dhe për këtë do të mbahet përgjegjëse opozita,” ka thënë Haxhiu.
Në letrën dërguar Glauk Konjufës, ku pretendon se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, kryetari i VV-së tregon se për këtë veprim e ka njoftuar edhe KQZ-në.
“I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, Që nga 23 marsi kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i qeverisjes sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KOZ me datë 27 mars 2025, dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar”, është thënë në letër, duke dhënë disa detaje tjera.