Artim Shaqiri, ish-trajneri i Flamurtarit të Prishtinës është emëruar drejtor sportiv te Shkëndija e Tetovës.
Kjo është bërë e ditur nga një komunikatë e publikuar në uebfaqen zyrtare të klubit shqiptar nga Tetova, shkruan Demokracia.com.
Shaqiri do ta marrë postin e ri në përfundim të këtij sezoni garues në elitën e futbollit maqedonas.
Gjithashtu, klubi tetovar ka njoftuar se Shaqiri do ta zëvendësojë trajnerin e shkarkuar Akrapoviq, deri në emërimin e shefit të shtabit teknik.
“KF Shkëndija njofton se Artim Shaqiri është emëruar në pozitën e drejtorit sportiv të klubit, ndërsa funksionin do të fillojë t’a ushtrojë që nga momenti i përfundimit të këtij sezoni garues”.
“Artim Shaqiri për më tepër se një muaj në vazhdimësi ka qenë pranë klubit, me planin për të ndjekur për çdo ditë situatën në klub dhe të vëzhgojë vazhdimisht formën e skuadrës kuqezi, përpara marrjes së detyrës së drejtorit sportive”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit “kuqezi”.
Artim Shaqiri ka një karrierë shumë të pasur si futbollist, ndërsa ka qenë edhe pjesë e Shkëndijës gjatë sezonit 2007/2008.
Ndërkaq si trajner ka drejtuar skuadrën tonë në sezonin garues 2012/2013, përderisa ka udhëhequr edhe me skuadra tjera, si Kukësi dhe Flamurtari./Demokracia.com/