Sport
Shkëlqimin e dikurshëm në futboll, Gjakovës tash po ia rikthen basketbolli
Demokracia
15:21 | 24 Tetor 2022

Share:

Në stadiumin e qytetit të Gjakovës para shumë vjetësh nuk kishte vend as për “gjilbër” kur klubi me nam i futbollit, Vëllaznimi, zhvillonte ndeshjet si vendas, qoftë në Superligë apo edhe në Kupën e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Ndonëse trofetë mungonin në sirtarin e klubit gjakovar, pasioni dhe dashuria që kishin qytetarët dhe tifozët për Vëllaznimin kalonte çdo limit.

Rënia e viteve të lavdishme për Vëllaznimin filloi kur klubi nisi të zhytej në krizë të thellë financiare.

“Kuqezinjtë” në dekadën e fundit vetëm tri herë kanë bërë gara në Superligën e Kosovës në futboll, duke luftuar thuajse në të gjitha rastet për ekzistencë dhe barazh.

Tanimë klubi gjakovar është në prag të “humnerës”. Kriza financiare, largimi i shumë futbollistëve dhe ndeshjet të luajtura kryesisht me juniorët e klubit ka bërë që Vëllaznimi ta sheh veten në fund të tabelës së Ligës së Parë duke rrezikuar rënien në Ligën e Dytë.

Për shkak të kësaj gjendje të palakmueshme, ka bërë që dashamirët e Vëllaznimit në futboll të zhvendosen në palestër, me klubin e basketbollit që këtë edicion synon Top 4-shen, shkruan Demokracia.com.

Shkëlqimi dhe vëmendja e sportit gjakovar tanimë është në basketboll. Edicionin e tanishëm, kur Vëllaznimi luan si vendas, palestra “Shani Nushi” është e stërmbushur me përkrahje maksimale nga tifozeria.

Riorganizimi i klubit të basketbollit ka bërë për vete qytetarët e Gjakovës që po mbushin palestrat në përkrahje të “kuqezinjve”.

Klubi i Basketbollit Vëllaznimi pas shtatë ndeshjeve në elitën e basketbollit kosovar ka 10 pikë dhe renditet në pozitën e pestë, teksa synim kanë inkuadrimin në “Play-Off”.

Aq i madh është interesimi për të parë një ndeshje basketbolli në Gjakovë, sa klubi në ndeshjen paraprake mori vendim të mos lejoj praninë e tifozëve mysafir të Trepçës./Demokracia.com/

Të ngjashme