Lajme
“Shkelje mbi parime”; “Ndërtim i kauzave të rrejshme”, valë reagimesh nga opozita për dorëzimin e Kurtit për Manastirin e Deçanit
Demokracia
23:18 | 13 Mars 2024

Share:

Vendimi i qeverisë së Kosovës për t’i kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës t’ia regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit, ashtu siç ka kërkuar Gjykata Kushtetuese, ka shkaktuar një valë reagimesh dhe polemikash në skenën politike të vendit. Pas vendimit, liderët opozitarë akuzuan kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për “shkelje mbi parime” e “ndërtim të kauzave të rrejshme”.

Në një prononcim për Express, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, kritikoi Kurtin duke e akuzuar për “po detyrohet që të shkelë mbi secilën fjalë përmes së cilës ka ardhur deri këtu”.

“Ky është çmimi që paguan shoqëria për një politikan të papërgjegjshëm, i cili nuk ka zgjedhur as gjuhë dhe as veprime për të ardhë në pushtet, e po detyrohet që të shkelë mbi secilën fjalë përmes së cilës ka ardhur deri këtu. Kryeministri Kurti e ka ditur nga fillimi që ky vendim është obligues, por e ka përdorur këtë çështje, siç ka përdorur shumë të tjera, për të përçarë opinonin me gjuhë helmuese, duke pasur parasysh vetëm interesin personal e partiak dhe jo atë qytetar e shtetëror”, tha Krasniqi.

Krasniqi rikujtoi deklaratën e kreut të qeverisë kur vendimin e marrë sot kohë më parë e kualifikonte “si tradhti”.

Sipas tij, kjo i kushtoi Kosovës “vite të shumta të humbura në agjendën e saj integruese, sanksione e masa ndëshkuese nga aleatët kryesorë e që nënkupton edhe stagnim të progresit ekonomik”.

Nga ana tjetër, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha për Nacionalen se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kontestohen dhe se Kurti ka ndërtuar “kauza të rrejshme për ardhje në pushtet“, e që sipas tij, ka mashtruar.

Vendimet dhe opinionet e Gjykates Kushtetuese jane te detyrueshme per zbatim; ato nuk mund te kontestohen. Por ndertimit të kauzave te rrejshme me qellim ardhjen ne pushtet, i thone mashtrim!” – ka thënë ai.

Më tej, i pari i LDK-së, ka thënë se populli i Kosovë ka qenë subjekt i mashtrimit popullist dhe mashtrimi nxiste përçarje, tension e dëmntonte procesin euroatlantik.

Fatkeqësisht, populli i Kosovës ka qenë subjekt i mashtrimit popullist, perdja e te cilit ra – edhe nje here – lehtesisht. Ky mashtrim dikur nxiste përplasje, përçarje e tension kombëtar, duke mbajtur peng jo vetëm fatin tonë euroatlantik por dhe duke treguar papërgjegjësi nacionale. Kauzat e rrejshme mbesin gjithnjë të dëmshme. Siç është e dëmshme dhe kjo qeverisje pa rezultate, pa parime, përplot propagande e mashtrim!” – ka thënë ai.

Vendimi

Ndonëse këtë vendim e kishte kundërshtuar me vite, kryeministri Kurti ka bërë me dije se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës t’ia regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit, ashtu siç ka kërkuar Gjykata Kushtetuese.

Në mbledhje të Qeverisë, ai ka thënë se këtë e ka bërë për shkak të anëtarësitë të Kosovës Këshill të Evropës.

“Sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës. Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme, kah mesi prillit është Asambleja Parlamentare, dhe në fund të majit është mbledhja e këshillit të ministrave”, ka thënë Kurti ndër të tjera.

Të ngjashme