Lajme
Shkeli me “dy këmbët” mbi barazinë që premtonte | Albin Kurti favorizon me investime komunat e Vetëvendosjes dhe u hakmerret të tjerave
Demokracia
11:46 | 12 Dhjetor 2023

Share:

“Unë e kuptoj dhe e di se sa e vështirë është jeta për shumicën e qytetarëve të vendit, sepse kemi papunësi dhe varfëri të lartë. Por, nga sot do të fillojmë rrugëtimin e ri drejt progresit, të zvogëlimit të pabarazive dhe të rritjes së mundësive për të gjithë. Do të jetë një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, por së bashku do të arrijmë në cakun e dëshiruar”.

Ky është një premtim tjetër për qytetarët e Kosovës nga Albin Kurti, më 22 mars 2021, në ditën kur u votua herën e dytë për kryeministër, pasi një vit më herët mandati i tij ishte ndërprerë, shkruan Demokracia.com.

Por, gati 3 vite nga ky fjalim, premtimi i Kurtit për ‘zvogëlim të pabarazive’ nuk ka më asnjë kuptim. Mjafton kjo tabelë për të hedhur poshtë të gjitha fjalët e zgjedhura të Kurtit për barazi mes qytetarëve dhe për dinjitet.

Albin Kurti dhe Qeveria që drejton po shkelë me të “dy këmbët” mbi barazinë që premtonin.


Kjo tabelë tregon se trajtimi i pabarabartë i komunave dhe rrjedhimisht i qytetarëve të tyre, buron nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohet nga kryeministri Albin Kurti.

“Këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të destinuara për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Ngjashëm me vitin e kaluar (2023), edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”, thuhet në analizën e Institutit GAP, i cili ka bërë një analizë të projektbuxhetit për vitin 2024 dhe ka publikuar tabelën me ndarjet buxhtore për investimet e reja kapitale nga niveli qendror për komunat.

Sipas tabelës, 14 komunat e renditura kanë përfituar në total vetëm 40.5% të shumës së përgjithshme të mjeteve.

Rajoni më i diskriminuar mbetet ai i Drenicës. Komunës së Drenasit i janë ndarë vetëm 185,000 euro për investime të reja kapitale, ndërsa komuna tjetër, Skenderaj, është përjashtuar nga kjo ndarje buxhetore.

Edhe komunat e tjera, ku Vetëvendosje humbi zgjedhjet lokale në vitin 2021 janë përjashtuar nga përfitimet në përputhje me numrin e banorëve që ato kanë.

Komuna e Shtimes (VV) që përbën vetëm 1.5% të popullsisë së Kosovës ka më shumë buxhet (2,753,333 Euro) se kryeqyteti i Kosovës, Prishtina (LDK) që përbën 12.3% të popullsisë në vend, por që i janë ndarë vetëm 2,300,000 euro. Edhe Prizrenit (PDK) si komunë e dytë në Kosovë i është ndarë një shumë simbolike për investime të reja kapitale (900,000 euro). Ferizaj, si një qytet i bizneseve të mëdha, është lënë jashtë listës.

Qeveria e Kosovës, e drejtur nga Kurti, më 31 tetor 2023 ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2024, ndërsa Kuvendi i Kosovës e ka aprovuar në lexim të parë më 16 nëntor 2023.

Sipas GAP-it, “Nga gjithsej 859.2 milionë euro sa janë planifikuar për shpenzime kapitale për vitin 2024, rreth 83% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 17% janë planifikuar për projekte të reja kapitale. Pjesëmarrja e buxhetit të ndarë për investime kapitale në Bruto Produktin Vendor ka një trend rënës nga viti 2017, dhe në vitet 2021 dhe 2022 ka mbetur e pandryshuar, në nivel prej 8%. Për më shumë, shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale mbetet e ulët, në nivel 60% në vitin 2022 dhe në nivel 35% deri në shtator të vitit 2023”. /Demokracia.com/

Analizën e plotë mund ta lexoni këtu: https://www.institutigap.org/documents/32258_projektbuxheti_2023_SHQ(f).pdf

Të ngjashme