Policia italiane ka “çmontuar” një bandë shqiptare të trafikut të drogës, kryesisht të lëndës narkotike kokainë.
Shqiptarët shfrytëzonin vizën tremujore për të kaluar në shtetin fqinj, duke u shfaqur si turistë ndërkohë që kryenin trafikun e kokainës në qytetet italiane.
Ndërkohë policia ka zbuluar edhe bazën e tyre në Valdichiana prej nga ku menaxhohej trafiku i kokainës. Banda shqiptare kishte gati listën e klientëve që donin të blinin kokainë dhe hashashin. Me të mbaruar viza turistike, pas 90 ditëve ata ktheheshin sërish në vendin tonë. Më pas udhëtonin sërish drejt Italisë për të vazhduar aktivitetin e tyre.
Sipas policisë, kjo skemë ka vazhduar që prej vitit 2019 deri sa pesë prej tyre u vendosën në pranga, duke u lënë në arrest me burg. Ndërsa njëri nga pjesëtarët e bandës mendohet të jetë rikthyer sërish në Shqipëri.
Ata akuzohen për trafikim dhe shitjen e lëndëve narkotike. Në pranga janë vendosur edhe dy gra, njëri prej tyre italiane, e cila kishte nisur edhe një romancë me një nga shqiptarët që drejtonin grupin e trafikut të kokainës, shkruajnë mediat italiane.
Policia ra në gjurmët e bandës shqiptare përmes përgjimeve dhe vëzhgimit me kamera duke kapur edhe vendet ku fshihnin drogën, zakonisht në fshat, pranë ullinjve, larg shtëpive në mënyrë që të mos pikaseshin nga policia.