Lajme
Shkarkohet menaxhmenti i NPB-së në Prishtinë
Demokracia
14:05 | 25 Korrik 2022

Share:

Menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike Banesore të Komunës së Prishtinës është shkarkuar.

Këtë e bëri të ditur asamblisti i PDK-së, Leotrim Retkoceri, i cili tha se ky vendim erdhi pas keqmenaxhimit që është bërë në këtë ndërmarrje “gjatë qeverisjes së LVV-së në Komunë”.

“Në vazhdën e reformave që po bëhen nëpër ndërmarrjet e Prishtinës, pas KRM ‘Pastrimi’ dhe ‘Hortikulura’, ndryshimi sot u bë edhe në menaxhmentin e Ndërmarrjes Publike Banesore, duke u shkarkuar menaxhmenti i vjetër”, ka njoftuar Retkoceri në një postim në Facebook.

Ai theksoi se mandati i NPB-së së Prishtinës është karakterizuar me keqmenaxhim, mungesë të transparencës dhe mosrealizim të planit të kompanive.

“Për këto arsye dhe të tjera me të cilat do të merret Policia dhe Prokuroria, ndryshimi në NPB ka qenë i domosdoshëm, urgjent dhe i pashmangshëm. Menaxhmeti i ri i Ndërmarrjes Publike Banesore do të fillojë menjëherë reformat, për të ndërtuar politika menaxhuese transparente dhe në shërbim të plotë të qytetarëve të Prishtinës”, theksoi asamblisti i PDK-së në Prishtinë.

Ndër të tjera, Retkoceri tha se ndërmarrjet publike duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe qytetit, e “jo siç kanë qenë deri sot – të papërgjegjshme”.

Këto ndërmarrje, sipas tij, “për një kohë të gjatë janë menaxhuar nga njerëz të Vetëvendosjes gjatë qeverisjes së LVV-së në Komunë. Për më tepër, nga dëshira për të përfituar, e pastaj shkatërruar, shumica e ndërmarrjeve publike në Prishtinë janë ballafaquar me borxhe financiare e rrezikim të falimentimit të kompanive”, tha mes të tjerash asamblisti i PDK-së, Leotrim Retkoceri.

Të ngjashme