Lajme
Shkaktuan kaos dhe penguan seancën, përjashtohen 10 ditë Doda e Hoti
Demokracia
18:26 | 18 Tetor 2024

Share:

Sekretariati i Etikës ka përjashtuar 10 ditë nga Kuvendi, deputeten demokrate Elda Hoti dhe deputetin Petrit Doda.

Përjashtimi i tyre me 10 ditë erdhi pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Gjithashtu, një kërkesë tjetër në dorë të Sekretariatit të Etikës sot, ishte dhe ajo e grupit të PD-së për përjashtimin e deputetëve socialistë, Eriom Braçe, Ilir Metaj dhe Plaurent Ndreca nga komisioni hetimor në shëndetësi. Por kjo këkresë nuk u mor në konsideratë, pasi ishte dorëzuar jashtë afatit 48 orësh pas ngjarjes.

Partia Socialiste dërgoi në Kuvend kërkesën për marrjen e masave disiplinore, për përjashtimin e 2 deputetëve të PD, që dje në sallën e seancave plenare nuk lejuan zhvillimin normal të saj.

Kujtojmë se një ditë më parë, edhe pse e përjashtuar, Hoti, ia ka dalë të futet në sallën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Ajo është akuzuar nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, se ka hedhur një lëndë të dyshimtë në Kuvend.

Kryeparlamentarja tha se Hoti hodhi benzinë drejt mazhorancës duke iu rrezikuar seriozisht jetën.

“Keni ardhur në Kuvend me benzinë me vete mos provokoni, mos dhunoni deputetët, jeni e përjashtuar nga seanca, dilni jashtë”.

Spiropali u shpreh se rasti do të referohet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Kjo nuk e ka penguar Hotin të vijojë qëndrimin në seancë, teksa kolegët e saj opozitarë po përplasen me gardën jashtë ambienteve.

Të ngjashme