Pas dhunës në maj e qershor dhe sulmit terrorist në Bansjkë të Zveçanit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë më trazira në veri të vendit. Ritje e pranisë së përhershme ushtarake dhe “kërcënimi” i përballjes me NATO-n janë metodat e reja të perëndimit për të parandaluar tensionet dhe trazirat e reja në veri. Kërkesë tjetër për Kosovën dhe Serbinë është normalizimi i marrëdhenive përmes procesit të dialogut.
Çka u paralajmërua sot?
James O’Brien, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, ka paralajmëruar të hënën Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.
“Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, tha O’Brien për gazetarë, përcjell Radio Evropa e Lirë.
Emisari amerikan tha se veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që Kosova dhe Serbia të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për media pas mbledhjes së ministrave të shteteve anëtare të Aleancës për Atlantikun e Veriut ka thënë se NATO është duke rishikuar mundësinë rreth një shtimi afatgjatë e më të qëndrueshëm të pranisë së trupës paqembajtëse të saj në Kosovës pas dhunës serioze në veri të Kosovës.
Kjo pasi u pyet nga një gazetar i agjencionit serb të lajmeve “Tanjug” se a po konsiderohet “një rol më i madh” i NATO-s në Kosovë. Stoltenberg u përgjigj se “po”, dhe se kjo faktikisht ka ndodhur “me shtimin e një trupave” të KFOR-it kohëve të fundit.
“Mesazhi im është që NATO do të bëjë çmos për të mirëmbajtur stabilitetin në rajon. Është e rëndësishme për NATO-n. Kemi histori aty, kemi prezencë aty dhe veç shtuam praninë kohëve të fundit në Kosovë duke shtuar 1 mijë trupa shtesë”, ka thënë Stoltenberg.
“Tash po e shohim se a duhet të bëjmë një rritje edhe më afatgjate; veçanërisht nëse ka nevojë për shtim të forcave tona (capabilities)”, tha ai, por e përsëriti se “hapi i rëndësishëm” veçse ka ndodhur me shtimin e një mijë trupave në kuadër të KFOR-it.
Tutje, Stoltenberg sërish përsëriti kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe, për çka tha se formimi i tij do të përbënte “një hap të rëndësishëm në çuarjen e dialogut drejt një kahu konstruktiv”.
“Jo retorikë nxitëse dhe as veprime që mund të nxisin tensione në veri”, ka thënë ai në një mesazh për liderët kosovarë dhe serbë.
“Pamë dhunë serioze në veri të Kosovës dhe retorikë secesioniste (shkëputëse) në Bosnje dhe Hercegovinë si dhe përpjekje keqdashëse me përfshirje Rusinë. Së bashku me Përfaqësuesit e Lartë të BE-së do të diskutojmë për të rritur stabilitetin në rajon. NATO-ja ka shtuar mijëra trupa shtesë në Kosovë. Jemi duke shqyrtuar dhe një rritje dhe prezencë më të qëndrueshme në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg.
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë me parë, në një postim në Facebook, ka paralajmëruar për një “riorganizim” të ri të në Rashkë të Serbisë, ngjashëm me lëvizjet paraprake që çuan në sulmin paramilitar e terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Ai ka thënë se kjo po bëhet me “me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.”
“Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.”, ka shkruar Kurti në Facebook.