Shitjet e makinave të prodhuesit gjerman të automobilave Mercedes-Benz ranë me 5 për qind vitin e kaluar për shkak të mungesës së gjysmëpërçuesve.
Në njoftimin e bërë nga Grupi Daimler AG, që në vete përfshin edhe markën Mercedes, shitjet e automjeteve të Mercedes-Benz vitin e kaluar në krahasim me vitin 2020 kanë shënuar një rënie prej 5 për qind, duke arritur në 2.054.962.
Shitjet e automjeteve të lehta komerciale (furgona) të kompanisë u rritën me 2,6 për qind në 334.210 në këtë periudhë, ndërsa shitjet e markës Smart u rritën me 0,3 për qind në 38.514.
Tërhoqi vëmendjen se shitjet e prodhuesit gjerman të makinave luksoze në Kinë, tregu më i madh për kompaninë, u ulën me 2 për qind vitin e kaluar duke arritur në 758.863 dhe shitjet e tyre në Evropë u ulën me 11,2 për qind dhe arritën në 696.136.
Shitjet e automjeteve elektrike me bateri të prodhuesit gjerman u rritën me 90,3 për qind vitin e kaluar, duke arritur në 99.301.
“Në tremujorin e katërt, pengesat e furnizimit me gjysmëpërçues shkaktuan vonesë në përmbushjen e kërkesës së lartë nga klientët”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, më 4 janar, kompania tjetër gjermane e automjeteve luksoze, BMW, kishte njoftuar se vitin e kaluar ka shitur 2,2 milionë automjete, me çka BMW për herë të parë që nga viti 2015 ka tejkaluar konkurrentin gjerman, Mercedes-Benz.