Lajme
Shitja e raketave “Javelin” për Kosovën, mesazh ushtarak apo politik i SHBA-së ndaj Serbisë?
Demokracia
11:25 | 13 Janar 2024

Share:

Pranimi i ShBA-së për t`i shitur Kosovës raketa kundërtanke të tipit “Jevelin” ka tronditur Serbinë.

Më shumë se veprim ushtarak, pranimi i kërkesës së Kosovës për posedimin e këtyre raketave po shihet si mesazh politik i SHBA-së ndaj Serbisë. Pas kritikave të ashpra që shteti serb mori për sulmin në Banjskë, ky është mesazhi i radhës që Serbia merr nga qeveria amerikan.

Njohësit e rrethanave politike kanë bërë me dije se kjo tregon se SHBA-ja më nuk po e sheh Serbinë si aleat të besueshëm.

Hulumtuesi i latë në Këshillin për Demokratizim të Politikave me seli në Berlin, Kurt Bassuener, ka bërë me dije se përmes shitjes së raketave Javelin për Kosovën, SHBA-ja po i dërgon mesazh politik Serbisë.

Eksperti gjerman ka vlerësuar se me këtë veprim SHBA-ja po i tregon Serbisë se nuk është aleat i besueshëm.

Mesazhi që SHBA-ja po dërgon me këtë blerje është se Serbia, pavarësisht deklaratave të Perëndimit se është partnere në dialog, nuk po konsiderohet partnere e besueshme, ose e besueshme nën udhëheqjen aktuale”, ka thënë Bassuener për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka bërë me dije se shitja e këtyre raketave mund të jetë sinjal i ndryshimit të strategjisë së Perëndimit ndaj Serbisë.

Në takimet e mia në Uashington, nuk kam parë ndryshim të madh në mënyrën e mendimit. Por, ka më shumë njohje se politikat që janë ndjekur deri më tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Prandaj, shpresoj se vendimi për raketat Javelin është sinjali i parë i një ndryshimi të strategjisë ndaj Ballkanit Perëndimor nga të dyja anët e Atlantikut”, është shprehur ai.

Edhe mediumi i njohur kroat, “Večernji list”, këtë veprim të SHBA-së e ka cilësuar si mesazh politik kundër Serbisë.

Qysh në titull të artikullit thuhet: “Amerika, nga frika e skenarit ukrainas, i shiti Kosovës sistemet që ndaluan tanket ruse përballë Kievit”.

Me tek, mediumi kroat përmend që blerja e këtyre raketave nga Kosova, ka shkaktuar shumë reagime në Serbi.

Ashtu siç ka gjithmonë ndodhë nëpër Serbi, kjo ngjarje nuk është e izoluar. Vjen, për shembull, pas deklaratës së Aleksandër Vuçiqit se Serbia ka të gjithë forcën tankiste, kryesisht të marrë nga Rusia para pushtimit, por nuk ka fuqi punëtore për këto tanke. Ai përmendi gjithashtu se blerja e armëve do të vazhdojë, nga Kina dhe vende të tjera, do të jenë sisteme kundërajrore, avionë luftarakë dhe dronë.”, thuhet nder të tjera në artikull.

Mesazhet për Banjskën

Edhe gjatë javës që po e lëmë pas, Serbia ka marrë mesazhe të fuqishme nga Perëndimin në raport me Kosovën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë dhënë garanci të forta që një skenar si ai i 24 shtatorit në Bajnskë nuk do të përsëritet. Deklarata të tilla janë dhënë nga zyrtarë të lartë të të dy aleatëve tanë.

Fillimisht, gjatë vizitës së tij në Kosovë, sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron deklaroi që sulmi ka qenë shumë shqetësues dhe duhet të bëhet gjithçka që të parandalohet një gjë e tillë.

Çfarë ka ndodhur këtu në shtator është ekstremisht shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë cdo gjë që të mundemi që ta parandalojmë atë që të mos përsëritet dhe ta luftojmë nëse ndodh përsëri. Kosova është shtet sovran i pavarur që dëshiron stabilitet, siguri dhe të ardhme dhe Britania po ndihmon me të gjitha këto dhe është e drejtë që ne e bëjmë.”, ka thënë ai.

Kurse, më pasë, James O’Brien, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, në një bashkëbisedim me gazetarë, po ashtu e përmendi ngjarjen e shtatorit të kaluar.

Ai tha se të dyja palët tashmë, pra Kosova dhe Serbia, e kuptojnë që nuk duhet të lejohet që të përsëritet një skenar i tillë.

Po ashtu komunikimi dhe bashkëpunimi me Beogradin na ka lejuar një lloj qetësimi të situatës. Ne presim që kjo të vazhdojë dhe në muajt në vijim presim më shumë transparencë dhe diskutime. Kjo është shumë e rëndësishme veçmas pas ngjarjeve shtatorin e kaluar, kur një grup tentoi të dërgonte një sasi armësh që do të shkaktonin dhunë të madhe, nëse ata do të mund të çonin në fund planet e tyre. Mendoj se kjo është diçka që të dyja palët e kuptojnë se nuk do të lejohet të ndodhë dhe askush nuk dëshiron që kjo të përsëritet.”, është shprehur O’Brien.

Hetimet për Bajnskën nuk kanë përfunduar ende, të paktën për komunitetin ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë vlerësimin e situatës që solli sulmin e terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, ku u vra zyrtari policor kosovar, Afrim Bunjaku. Sipas detajeve të fundit të dhëna nga ambasadori amerikan, vlerësimi po vazhdon dhe nuk ka përfunduar ende.

Të ngjashme