Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka fituar rreth 200 milionë euro për më shumë se 10 vjet.
Në raportet e audituara financiare, që nga viti 2008 deri në vitin 2020, shihet se KEK-u ka regjistruar rreth 200 milionë euro të hyra si fitim neto.
Përkundër që kryeministri Kurti ka thënë se gjendja e kapaciteteve të prodhimit në Korporatën Energjetike të Kosovës është e njëjtë me ato të pasluftës, sipas mbi 10 raporteve financiare të audituara që i ka krahasuar Demokracia.com, shihet se KEK-u është ndër ndërmarrjet publike të rralla që mbi një dekadë operon me fitim milionësh.
“Derisa kërkesa për energji nga qytetarët dhe ekonomia jonë është rritur çdo vit, prodhimi nga KEK-u ka mbetur i njëjtë e ndërkohë ka pasur edhe vjedhje, edhe vendime të gabuara, që e kanë sjellë sektorin energjetik buzë kolapsit”, kishte deklaruar kryeministri Kurti.
Fillimisht në vitin 2008, KEK-u regjistroi plot 1.9 milionë euro humbje. Megjithatë, ky ishte viti i fundit kur KEK-u operoi me humbje, pasi që më pas u bë një prej ndërmarrjeve vendore më të hyrat më të mëdha.
Në vitin 2009, Korporata Energjetike shënoi një rritje duke e mbyllur vitin me 4.8 milionë euro fitim neto.
Fitimi neto i kësaj ndërmarrje kishte ngritje dhe ulje nga viti në vit, por asnjëherë më nuk operoi me humbje, shkruan Demokracia.com.
Në vitin 2010, KEK-u fitoi 14.1 milionë euro. Ndërsa, rekordin më të madh të fitimit neto, KEK-u e shënoi gjatë viti 2013, ku arriti të grumbullonte plot 26.4 milionë euro.
Korporata kishte regjistruar një rezultat të mirë edhe në vitin 2017, ku fitoi 20.9 milionë euro. Ndërkaq, në vitin 2018, Korporata Energjetike e Kosovës fitoi 17.6 milionë euro. Një vit më pas, 19.2 milionë euro. Ndërsa, vitin 2020, KEK-u e mbylli me një sukses tejet të lartë, duke shënuar një tjetër rritje krahasuar me vitet paraprake. Në këtë vit, KEK kishte fitim neto gjithsej 23.7 milionë euro. /Demokracia.com/