Lajme
Shifra rekord remitancash në Kosovë: Mërgimtarët dërgojnë mbi 200 milionë euro në 3 muaj
Demokracia
13:52 | 26 Maj 2022

Share:

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e parave të dërguara nga diaspora për familjet e tyre në Kosovë, ka arritur shifër rekord. 238.5 milionë euro janë dërguar nga vendet e tjera drejt Kosovës sipas raportit të fundit të lëshuar nga Banka Qendrore e Kosovës. Të ardhurat nga diaspora përbëjnë kategorinë më të madhe financiare në kuadër të të ardhurave dytësore.

Në fakt, përgjatë viteve, dërgesat e parave nga diaspora, përbën një burim të madh të të ardhurave në Kosovë. Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, këto të ardhura kanë kapur vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, paratë vijnë kryesisht nga vende si Gjermania, Zvicra, Italia, Austria. Në krahasim me vendet e tjera të Ballkani Perëndimor, Kosova ka një varësi të madhe nga të ardhurat që dërgohen nga diaspora.

Sipas  Agjencisë Europiane të Statistikave, Eurostat, Kosova përballet me një mesatare emigrimi prej 23.933 personash në vit, thënë ndryshe  1.3 për qind e popullatës së përgjithshme.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850 mijë persona.

Me planin e Qeverisë është parashikuar të emetohen bono thesari, të dedikuara për diasporën. Megjithatë, nuk është e qartë nëse ka nisur ose jo zbatimi i këtij plani.

Të ngjashme