Sport
SHGSK reagon ndaj gjuhës dhe shpifjeve të Agim Kasapollit
Demokracia
12:49 | 09 Mars 2022

Share:

Shoqata e Gazetarëve Sportivë e Kosovës (SHGSK) me shqetësim i ka përcjellë deklarimet e pa matura dhe tendencioze të ish-kolegut tonë Agim Kasapolli.

Në emisionin “Pressing” të datës 08.03.2022 në T7, Kasapolli aludon se SHGSK përbëhet nga “…njerëz zhvatës dhe manipulues” dhe kinse “SHGSK ka memorandum bashkëpunimi me FFK-në”.

SHGSK do të marrë hapat ligjorë për ta vënë para organeve përkatëse, që do ta detyrojnë ti nxjerrë faktet e “zhvatjes”.

Do t’i shkojmë kësaj çështje deri në fund, derisa z.Kasapolli të tregojë para opinionit se kush-kë është duke e zhvatur?

Nuk mund ta lejojmë veten t’i marrim normale shpifjet dhe rolin tënd prej postieri, sa herë ty të kërkohet një gjë e tillë në situata të veçanta në sportin kosovar.

Nëse pas pensionimit i ke vënë cak që përmes deklaratave të tilla të pamatura të jesh në qendër të vëmendjes, atëherë ke bërë zgjedhjen e gabuar. Gjuha e ulët, joetike dhe fyese për të gjithë gazetarët sportivë, është e papranueshme dhe si e tillë do të dënohet, pavarësisht se nga goja e kujt del.

Në ceremoninë e Laureatëve të Vitit nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ju keni përdorur edhe fyerje verbale ndaj gazetarëve tjerë që kanë qenë të pranishëm, por edhe këtë e kemi heshtur, duke mos dashur të nxisim reagim.

Kjo nuk ju shkon, mbi të gjitha për moshën që e keni. Vite më parë, hapur në një ceremoni të FFK-së, keni ofenduar poashtu gazetarët dhe njëjtë jemi munduar ta amortizojmë situatën dhe ta kuptojmë si një moment të keq për Ju, duke shpresuar se do të reflektoni.

Në emisionin “Pressing” në T7, Kasapolli bën cilësime të skajshme dhe të ulëta për kolegët e tij, duke i dhënë leje vetes të pyes të tjerët në emision nëse një gazetar i caktuar e njeh anglishten apo ka kualifikim të duhur universitar.

Kush pretendoni se jeni, që të luani rolin e inspektorit apo komisionerit?!

Në të njëjtin emision përmend media dhe emra të personave, duke i etiketuar dhe duke bërë cilësime të skajshme.

E dënojmë gjuhën e ashpër të përdorur ndaj kolegëve të Klan Kosova, TV 21, RTV Dukagjini, Kanal 10 dhe portaleve të apostrofruara gjatë emisionit, ndaj së cilëve z. Kasapolli ka të paktën obligim moral për një kërkim-falje publike.

Poashtu dënojmë gjuhën ofenduese të përqeshëse të përdorur ndaj kolegut tonë dhe nënkryetarit të KOK-ut Eugen Saraçini, për të cilin z. Kasapolli nuk kurseu asgjë në deklarimet e tij.

  1. Kasapolli, ju e dini që në paraqitjet televizive, nuk mjafton vetëm të vësh një kravatë, por mbi të gjitha “ta kesh kokën me vete” se edhe pa kravatë bën.

SHGSK fton të gjitha organet kompetente, ta vënë para përgjegjësisë për deklarimet e bëra z. Kasapolli, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të ndalet një praktikë e tillë e dezinformimit të qëllimshëm të opinionit, për interesa të ngushta të individëve si i lartcekuri. /Demokracia.com

Të ngjashme