Lajme
“Shëtitje nëpër botë ”, Artane Rizvanolli hap tender 120 mijë euro për bileta
Demokracia
16:14 | 07 Gusht 2023

Share:

Ministria e Ekonomisë ka hapur një tender në vlerë të 120 mijë eurove për shërbime të transportit ajror. Më këto para janë planifikuar të blihen 300 bileta për destinacione të ndryshme të botës.

Artane Rizvanolli ka bërë plane që të shëtisë goxha shumë botën gjatë ditëve e muajve në vijim.

Të paktën kështu duket kur merret parasysh tenderi që është hapur për shërbime të transportit ajror, i cili peshon hiç më pak se 120 mijë euro.

Madje, në këtë tender është treguar se numri i biletave për avion do të jetë rreth 300.

“Shërbime të transportit ajror për nevoja të ME-së. Relacionet nuk mund të definohen paraprakisht.  Numri i përafërt i biletave do të jetë 300 copë në destinacione të ndryshme të botës. Vlera e parashikuar e kontratës: 120,000.00 euro. Bileta Aeroplani, copë 300. Tarifa e shërbimit (service charge) e ofruar nga Operatori  Ekonomik i shprehur në euro, copë 300”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Ministria e Ekonomisë në dosjen e tenderit ka treguar se kalkulimi për një biletë është bërë me 400 euro, por që “shërben vetëm për kalkulim të çmimit”.

“Vlera e biletës prej 400 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit dhe çmimi total do të përdorët vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës pasi që çmimi do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga çmimet që do të procedohen nga sistemi kompjuterik i rezervimit AMADEUS, GALILO, SABRE, apo sistem tjetër të barasvlershëm apo sisteme online. Kontrata do te bazohet ne sasi. Tarifa e shërbimit duhet dhënë vetëm me dy numra pas presjes dhjetore, (p.sh. 2.59 €). Çdo numër i shënuar pas dy (2) numrave të presjes dhjetore nuk do te merret për bazë ne llogaritje te vlerës së ofertës”, shkruan Demokracia.com.

Në dosjen e tenderit janë dhënë edhe disa sqarime se për cfarë qëllimi po blihen këto bileta dhe për sa vite do të përdoren ato.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të lidhet një kontratë kornizë me një Operator Ekonomik (OE) të kualifikuar, i cili do të ofronte shërbimet e rezervimit dhe lëshimit të aviobiletave për udhëtimet zyrtare që do të autorizohen nga MPJD-ja. Gjatë periudhës 3 vjeçare numri i përafërt i biletave do të jetë 300 copë në destinacione të ndryshme të botës. Kontrata konsiderohet e realizuar në bazë te sasive të biletave dhe jo vlerës”.

Janë dhënë edhe ultimatumet dhe kërkesat konkrete per kompaninë fituese të tenderit.

Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje të sigurojë shërbimet e lartpërmendura, duke përfshirë ofrimin e aviobiletave në çdo kohë 24/7. (që nënkupton edhe gjatë fundjavëve dhe festave). Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje për të garantuar shërbime 365 ditë në vit, 7 ditë në javë dhe 24 orë në ditë dhe duke ofruar emrat e personave të kontaktit, emailat dhe numrin e telefonit, kjo do të jetë si kusht pas nënshkrimit të kontratës (kjo është një kërkesë e detyrueshme). Ofruesi i shërbimeve duhet të ofrojë ndihmë personave në udhëtimet zyrtare dhe t’i informojnë ata menjëherë për çdo ndryshim, anulim ose probleme me udhëtimet e tyre”.

Ministria ka treguar, po ashtu, se sasia e biletave dhe destinacionet mund të ndryshojnë varësisht nga kërkesat dhe nevojat e ME-së. Biletat kryesisht do të jenë kthyese, por mund të këtë kërkesa edhe për bileta njëdrejtimëshe./Demokracia.com/

Të ngjashme