Lajme
Shënohet 30 vjetori i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Prishtinë
Demokracia
17:19 | 22 Nëntor 2022

Share:

Sot, në hapësirat e Fakultetit Filologjik, me rastin e tridhjetë vjetorit të themelimit të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane u mbajt konferenca shkencore me titull: 𝐏𝐞𝐫𝐬𝐩𝐞𝐤𝐭𝐢𝐯𝐚 𝐞 𝐬𝐭𝐮𝐝𝐢𝐦𝐞𝐯𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐆𝐣𝐞𝐫𝐦𝐚𝐧𝐢𝐬𝐭𝐢𝐤𝐞̈𝐬 𝐧𝐞̈ 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧 𝐉𝐮𝐠𝐥𝐢𝐧𝐝𝐨𝐫𝐞.

Konferenca u hap nga shefja e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane Prof. Asoc. Dr. Teuta Abrashi, e cila në një fjalim rasti kujtoi themelimin dhe fillet e këtij Departamenti, përkujtoi dhe falënderoi kontribuuesit në zhvillimin e degës, përkatësisht stafin e atëhershëm akademik, ambasadën gjermane, austriake dhe zvicerane, zyrat ndërlidhëse DAAD dhe OeAD si dhe donatorët nga vendet e ndryshme gjermanofolëse. Ajo theksoi po ashtu bashkëiniciativën për themelimin e Shoqatës së gjermanistëve të Evropës Juglindore (SOEGV) dhe nënvizoi paralelisht arritjet në fushën e bashkëpunimeve të shumta me universitetet e vendeve gjermanofolëse dhe programeve të bursave, duke vënë në pah gjithashtu edhe perspektivën e të diplomuarve të gjermanistikës.

Në një fjalë rasti publikut iu drejtua edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, i cili shquajti marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Gjermanisë dhe Kosovës, marrëdhënie në të cilat la të kuptohet se reflektohet qartazi ndikimi i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane. Ai falënderoi Gjermanistikën për angazhimin e palodhshëm në tridhjetë vitet e fundit, duke e nderuar veçanërisht veprimtarinë e mësimdhënësve dhe sakrificën e tyre në periudhën e para dhe pas luftës. Duke kaluar nga fillet e mësimdhënies së gjuhës gjermane „në ilegalitet“ e deri tek interesimi i shumëfishuar për studiuar gjuhën gjermane sot, ai dha një tablo të rrugëtimit 30-vjeçar të Gjermanistikës në Prishtinë.

Christoph Weidinger, ambasadori i Austrisë, theksoi kontributin e larmishëm të Austrisë në fuqizimin e Departamentit të Gjermanistikës në Prishtinë, duke përmendur specifikisht zhvillime pozitive ndër vite, si: hapja e Bibliotekës Austriake apo aktivizimi i lektoratit të OeAD-së. Ai veçoi po ashtu faktin se ky departament është një partner i rëndësishëm për qasjen ndaj letërsisë austriake, gjë kjo e ilustruar si me ekspozitën për Ilse Aichinger deri te leximet me autorë austriakë, siç ishte së fundmi takimi letrar me Anna Kim.

Edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly uroi në fjalën e tij përshëndetëse jubileun 30 vjeçar të Gjermanistikës, ku tha se Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane luan një rol vendimtar dhe aktiv në përafrimin e shoqërive të vendeve gjermanofolëse dhe Kosovës dhe në shfrytëzimin optimal të potencialit ekonomik.

Prof. Dr. Vedad Smailagić, kryetar i Shoqatës së Gjermanistëve të Evropës Juglindore (SOEGV), iu bashkua konferencës përmes platformës online. Ai çmoi këtë jubile si festë e të drejtës për arsimim dhe studim. Ai kujtoi bashkëpunimin e ngushtë me profesorët e Universitetit të Prishtinës në kuadër të SOEGV-së.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri dhe alumni i Gjermanistikës së UP-së, z. Lulzim Pllana tha se është i lumtur të festojë sot së bashku me degën e Gjermanistikës, këtë 30-vjetor të studimit të gjuhës dhe letërsisë gjermane, duke cilësuar se gjuha gjermane na afron drejt qëllimit tonë politik të drejtuar kah vendet perëndimore.

Për historikun e themelimit të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane foli Prof. Asoc. Dr. Vjosa Hamiti, e cila dha një pasqyrë të veçorive që kanë përcjellë Departamentin gjatë tri dekadave, nisur kështu nga themelimi i Departamentit nën regjimin serb, mbajtja e mësimit në shtëpitë-shkolla, kthimi në ambientet e Universitetit të Prishtinës pas mbarimit të luftës në Kosovë deri te arritjet e Departamentit pas 30 viteve punë të vazhdueshme. Ajo po ashtu theksoi përkushtimin shumëvjeçar për të krijuar marrëdhënie bashkëpunimi me universitetet e vendeve gjermanofolëse dhe rëndësinë e lektoratit të DAAD-së dhe OeAD-së.

Me këtë rast u bë edhe hapja zyrtare e ekspozitës së rrugëtimit tridhjetëvjeçar të Gjermanistikës në Kosovë dhe u mbajt seksioni shkencor, ku u prezantuan punime mbi perspektivën e studimeve të Gjermanistikës në Evropën Juglindore.

Të ngjashme