Lajme
Shefja e UNMIK-ut: Të respektohen vendimet e Kushtetueses, të implementohen obligimet nga dialogu
Demokracia
21:38 | 18 Tetor 2022

Share:

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka nisur mbledhja ku po diskutohet raporti për Kosovën.

Përfaqësuesja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh ka thënë se ka pasur vullnet të palëve për të eskaluar situatën, duke ju referuar tensioneve për masën e reciprocitetit.

“Vullneti i palëve për të provokuar përplasje të rrezikshme, mund të çojë në pasoja më të vështira se sa mendohet. Qeveria ka pasur një agjendë ambicioze, ne i shohim përpjekjet e Qeverisë për të forcuar sundimin e ligjit”, tha ai.

Ajo tutje tha se Qeveria e Kosovës duhet të punojë për implementimin e vendimeve të Kushtetueses si dhe obligimet që janë marrë nga dialogu me Serbinë.

“Në këtë kontekst do të theksoja rëndësinë së pari të implementimit të të gjitha gjykatave të larta, siç janë ato që vijnë nga Gjykata Kushtetuese, prandaj ato për të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut, e të gjitha obligimeve që janë marrë përsipër më parë nga dialogu. Qeveria e Kosovës mbetet e fokusuar për adresimin e çështjeve kritike për çështjen e së drejtës që besoj që do të merren për bazë edhe nga shtetet për liberalizimin e vizave. Ne, bashkësia ndërkombëtare bartim edhe përgjegjësi”, tha ajo.

Njoftimi i plotë i Zyrës së UNMIK-ut, pa ndërhyrje:

DHËHEQËSIT DUHET TË GJEJNË SHTEG POZITIV PËR KOSOVËN NË DOBI TË TË GJITHËVE, I THOTË PSSP ZIADEH KËSHILLIT TË SIGURIMIT

18 tetor, 2022 – Udhëheqësit politik duhet të zgjedhin në mes të kërcënimeve apo gjesteve të vullnetit të mirë në Kosovë – dhe duhet të vendosin në favor të të gjithë anëtarëve të shoqërisë.

Një porosi për të vazhduar me rrugën e lidershipit pozitiv, përfshirë edhe në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë, erdhi sot nga Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, gjatë raportimit të saj që mbahet dy herë  në vit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Që nga pranvera e kaluar, ne të gjithë kemi vërejtur disa përshkallëzime në retorikën politike… si dhe disa momente të tensionit akut në terren. Këto rrezikuan të zmbrapsnin shumë nga rezultatet e arritura më parë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, u tha ajo vendeve anëtare.

Rastet e qëndrimit politik kishin karakterizuar pjesën më të madhe të gjashtë muajve të fundit, tha ajo, duke përfshirë aspekte të tilla si udhërrëfyesi për energjinë, liria e lëvizjes së njerëzve, vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit dhe asociacioni/bashkësia e komunave me shumicë serbe. Ndërhyrjet diplomatike dhe një takim dialogu në gusht kishin rezultuar në “shtensionim të përkohshëm”, me gatishmëri të zgjatjes së afateve – ndërkohë që situata mbeti fragjile me zhvillimet në Kosovë të ndikuara në mënyrë të pashmangshme nga mjedisi aktual i sigurisë në Evropë.

“Ka shumë zgjedhje që duhen bërë nga liderët politikë në ditët në vijim se si të menaxhojnë ambiciet dhe objektivat e tyre duke pasur parasysh konturat e pasigurisë më të gjerë ekonomike dhe të sigurisë në këtë kohë. Zgjedhjet mes bashkëpunimit apo ndarjes, mes kërcënimeve apo veprimeve të vullnetit të mirë, në mes të kompromiseve apo kalkulimeve  për përfitim të njëanshëm”, tha ajo.

PSSP Ziadeh theksoi rëndësinë e arritjes së zbatimit të plotë të të gjitha vendimeve të gjykatës së lartë dhe garantimit të respektimit të plotë të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat sociale dhe ekonomike, pronësore dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet.

Në të njëjtën kohë, ajo vlerësoi shembuj pozitivë të lidershipit të dëshmuar në mes të momenteve sfiduese – udhëheqje që kishte potencialin të ndikonte në jetën e përditshme të njerëzve. “Qeveria e Kosovës mbetet e fokusuar në adresimin e çështjeve kritike në lidhje me sundimin e ligjit; përpjekje që  presim të jenë vërejtur nga shtetet anëtare evropiane që peshojnë qëndrimet e tyre për regjimin e vizave dhe të udhëtimit për popullin e Kosovës.” Lidhur me këtë, shefja e UNMIK-ut tha se edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë për të mbështetur një të ardhme më të mirë për Kosovën.

PSSP Ziadeh falënderoi partnerët e Misionit, veçanërisht KFOR-in, prania e vazhdueshme e të cilit siguron një mjedis të qetë dhe të sigurt “në momentet kur kufiri ndërmjet provokimit politik dhe armiqësisë së hapur mjegullohet”.

UNMIK-u mbeti i përqendruar në fushat kryesore, në ndërtimin e besimit dhe fuqizimin e ndryshimbërësve, tha PSSP Ziadeh.

Në gjashtë muajt e fundit, misioni ka qenë nikoqir i Asamblesë së katërt të Rinisë së OKB-së, forumin më të madh multietnik rinor në Kosovë; mbajti Ditën e Hapur Globale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë për të ngritur profilin e pjesëmarrjes së grave në proceset politike; mbështeti iniciativat për të drejtat gjuhësore; dhe mblodhi 37 OSHC nga të gjitha komunitetet e Kosovës për të nisur raportin e tretë vjetor të të drejtave të njeriut.

PSSP Ziadeh e përfundoi raportimin e saj duke miratuar mesazhin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së António Guterres, i cili përdori fjalimin e hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 2022 për të bërë thirrje për veprim dhe dialog:

“Tani jam gjithnjë e më e bindur se çdo marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të arrihet dhe zbatohet vetëm me një shkallë të lartë të përfshirjes dhe pronësisë publike… ne presim të bashkëpunojmë me institucionet e Kosovës bazuar në mirëbesim dhe respekt të plotë për njëri-tjetrin,” tha ajo.

Të ngjashme