Lajme
Shefi i UNMIK-ut bën thirrje që çështja e targave të zgjidhet përmes dialogut
Demokracia
12:58 | 23 Shtator 2021

Share:

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK -ut Zahir Tanin, ka reaguar të enjten pas bllokadave të krijuara në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në targat e Serbisë, duke u kërkuar të gjitha palëve që të adresojnë çështjet që kanë përmes mekanizmave të dialogut dhe të marrin hapa për të shmangur tensionet.

Tanin vë në dukje ngërçin e vazhdueshëm mbi zbatimin e masave në targa dhe bashkohet me partnerët ndërkombëtarë në nxitjen e të gjitha palëve për të adresuar çështjet përmes mekanizmave të vendosur të dialogut, në mbështetje të lëvizjes së lirë të personave dhe mallrave dhe në interes të popullatave.

Po ashtu Tanin u përkujton palëve se veprimet e njëanshme bartin rrezikun e përshkallëzimit dhe duhen të shmangen në interesin e paqes, sigurisë dhe sigurisë së popullsive.

“Ju bëj thirrje të gjitha palëve të demonstrojnë udhëheqësi të përgjegjshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shmangur tensionet përmes procesit të dialogut politik,” PSSP Tanin theksoi.

Ndryshe, të hënën Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës – ku popullsia është shumicë serbe – janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme