Lajme
Shefi i stafit të kryeministrit, Albin Kurti përsëri sot ishte subjekt i gjykatës
Demokracia
20:37 | 04 Prill 2022

Share:

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar me dëgjim të dëshmitarit Zijadin Isaku në rastin ku po akuzohet Xhemajl Syla për keqpërdorim të informatës zyrtare.

Syla po akuzohet se si udhëheqës i Divizionit për Mbështetje të Bizneseve dhe Zhvillimeve Regjionale në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka keqpërdorur informacione zyrtare me qëllim të përfitimit të përparësisë për kompaninë “Management Development Association”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë seancës se të hënës, duke u përgjigjur pyetjeve të prokurores Drita Hajdari, dëshmitari Isaku, hetues Kundër Korrupsionit, deklaroi se kishte qenë bartës i rastit në polici ndërsa bartëse e rastit në prokurori ka qenë prokurorja Drita Hajdari.

Ai deklaroi se kishte vepruar në bazë të  autorizimeve nga ana e prokurores dhe se kishte komunikuar me shkrim në bazë të raporteve.

Po ashtu tha se kishte pasur urdhëresë gjykate për kontroll të vendeve të punës të dyshuarve dhe kishte marrë pjesë gjatë sekuestrimit ku të dyshuarve Luan Dalipit dhe Sylës dhe për këtë ekzistojnë procesverbalet të rrjedhës së kontrollit dhe sekuestrimit të pajisjeve.

Ai tha se ka kaluar një kohë e gjatë mirëpo sa i kujtohet nga Luan Dalipi kishin sekuestruar një laptop, e cila ka qenë pajise e gjeneratës së fundit të laptop-ve të dala në treg, si dhe se ka pasur një gjuhë programore specifike.

Pas sekuestrimit me vendim është kërkuar që këto pajise të sekuestruara të ekzaminohen nga Agjencinë i Forenzikës së Kosovës dhe Njësiti i Forenzikës në Policinë e Kosovës.

Sipas tij, nga raportet e pranuara nga këto dy institucione kishin konstatuar se konstatuar se në laptopin e sekuestruar të Dalipit, ekziston sistemi operativ Linux i cili është sistem operativ specifik dhe sistemin që e përdor Forenzika është In-Case nuk e ka përkrah sistemin operativ Linux.

Sipas tij, për sistem Linux shteti nuk ka siguruar program pasi që për 18 vite vetëm një kompjuterik me sistem të tillë dhe probabiliteti është i vogël prandaj nuk janë blerë programi mbështetës për nxjerrje e të dhënave nga ky sistem.

Dëshmitari Isaku deklaroi se Forenzika ka qenë e obliguar të nxjerr të dhëna të ndërlidhura me rastin , konkretisht komunikimin e Luan Dalipit me Xhemajl  Sylën përmes email apo në një mënyrë të tjetër sepse paraprakisht nuk kishin mundur të dinë se çka përmban laptopi.

Ai ka shtuar se përmes Agjencinë dhe Forenzikës kishin kërkuar me gjet mënyra për ndihmë nga kolegët e tyre jashtë Kosovës, mirëpo kjo kërkon një kohë më të gjatë dhe vazhduar deri në tre muaj.

Tutje, dëshmitari  tha se  prokuroren në raport e kishte njoftuar me kërkesën e vazhdueshme të Dalipit që ato të dhëna që i kishte në Laptop dhe janë relevante për rastin do të i dorëzoj në mënyrë vullnetare.

Sipas tij, këtë gatishmëri Dalipi e kishte shprehur gjatë intervistimit të tij në polici dhe ekziston edhe një deklaratë e të njëjtit e shkruar për një gjë të tillë.

Pasi që e kishin pasur autorizim e prokurores dëshmitari tha se e kishin njoftuar Dalipin  dhe që në prezencë të ekspertit i Forenzikës, Ardijan Krasniqi, i kishte nxjerr dhe vendosur në CD dhe i kishte dorëzuar për prokurorinë.

Sipas tij, këto komunikime-email i njëjti i kishte pasur dhe kishte deklaruar gjatë gjithë kohës që i kishte në Desktop.

I njëjti tha se këto email i kishin pasur paraprakisht para se me u nxjerr të printuara dhe se pasi që i kanë krahasuar kanë qenë të njëjta me ato që i kishin siguruar nga Dalipi.

Po ashtu dëshmitari tha se pasi i kishte dorëzuar këto të dhëna Dalipi, të njëjtit  i është kthyer Laptopi në bazë të vërtetimit për kthim.

Në anën tjetër duke u përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të akuzuarit Syla, avokatit Mahmut Halimi, dëshmitari Isaku e ka pohuar se Laptopi i sekuestruar i Dalipit ka qenë i markës Apple, ndërsa tha se nuk mund të thotë me përqindje sigurt mirëpo që shumica e Laptop-ve përdorin sistemin Windows.

Ndërsa sa i përket sistemit Linux tha se është sistem  operativ specifik që përdoret nga specialist që e përdorin në fusha të caktuara dhe nuk është i dizajnuar si programi Windows me dritare andaj edhe përdorimi i të njëjtit është më i lehtë.

Ndërsa në pyetjen e avokatit se a është në dijeni për sistemin operativ IOS, i njëjti u përgjigje që nuk e di me arsyetimin se nuk është inxhinier.

I njëjti tha se në bazë të urdhëresës kishin kryer kontroll në zyrën e Sylës, ku kishin sekuestruar “Hard diskun” e kompjuterit që e kishte përdorur dhe pasi ishte bërë ekzaminimi i të njëjtës nuk ishin gjetur email-it e pretenduara lidhur me komunikimin e Sylës me Dalipin.

Tutje në pyetjen e avokatit “se Dalipi në ndonjë fazë të procedurës a e ka kontestuar vërtetësinë emal-ve, a i ka quajtur supozuara”, dëshmitari tha se në kallëzim penal i ka vendosur të gjitha ato që kam qenë në dijeni.

Ndër të tjerash  dëshmitari tha se me përgjegjësi të plotë se gjatë nxjerrjes të dhënave duhet me kërkuar rrugë ligjore, në rastin aktual një ndër rastet e para që ka ndodhur për me u blloku procesi, mirëpo një gjë e tillë nuk do të thotë që ka pasur presion apo shtrëngim, në të gjitha shkresat e lëndës që ekzistojnë në dosje tregojnë që ai në vullnet të plotë ka bashkëpunuar dhe ka dashur me ju kthyer pajisja, Laptopi.

Ndërsa duke u përgjigjur rimarrje të prokurores Hajdari dëshmitari tha se email-it e dorëzuar nga Dalipi i kanë qenë në formatin PDF dhe me arsyetimin se nuk është ekspert nuk mund të thotë me siguri nëse mund të ndërhytë në formatin PDF.

Në fund duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitari Isaku deklaroi se në kompjuterin e sekuestruar të Sylës, orientimi i tyre kryesor ka qenë komunikimet e bëra përmes email-ve në mes Sylës dhe Dalipit, të cilat paraprakisht i kishin pranuar vetëm si dyshime nga “OLAF” (Institucion i BE-së).

Ai tha se në kompjuterin e sekuestruar të Sylës nuk i kishin gjetur komunikimet përmes email-ve në mes Dalipit dhe Sylës, dhe se në atë kompjuter në aspekti teknik nuk janë shkruar, mirëpo të njëjtat kanë mundur të shkruhen nga ndonjë  kompjuter tjetër.

Ai shtoi se email-i si email nuk tregon se me cilin kompjuter komunikon, por me cilët persona e tregon për faktin se janë emra dhe mbiemra.

Tutje, ai tha se “Olaf” ka bërë hetime administrative dhe pastaj në aspektin penal është bartur tek Prokuroria Speciale dhe me aktvendim të fillimit të hetimeve është vepruar më tutje.

Dëshmitari tha se kanë kaluar 8 vite mirëpo sa i kujtohej kishte pasur autorizim nga prokuroria  fillimisht për grumbullimin dhe mbledhjen e informatave.

I njëjti tha se objekt i hetimit ka qenë i dyshuar një projekt i BE-së, në të cilën i akuzuari Syla ka qenë komision vlerësues projektit nga aspekti vendor ndërsa Dalipi ka qenë konkurrentë.

Tutje tha se lidhur me korrespodencën mes tyre, në emalat e përshkruara shihet qartë si ka rrjedhur projekti me gjendjen faktike në teren komunikimet shihen që kanë qenë me bazë për të dyshuar.

Në fund tha se si është përgjigjur më herët nuk ka mundur të i hap email-t në mungesë të vullnetit të Dalipit pasi që kjo procedurë ka qenë me mirëbesim dhe është respektuar ndërsa shtoi se i njëjti i kishte thënë se ato që po i kërkojmë i ka vetëm në Desktop.

Në mungesë të kushteve për vazhdimin e seancës, gjykatësja Bytyqi seancën e ka shtyrë për 22 prill 2022.

Ndryshe, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Luan Dalipi, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, por që kjo aktakuzë ishte ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 korrik 2017, kishte refuzuar kërkesat e avokatëve mbrojtës të Xhemajl Sylës dhe Luan Dalipit për hudhjen aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndaj këtij aktvendimi, avokatët mbrojtës kishin parashtruar ankesa në Gjykatën e Apelit.

Më 25 korrik 2017, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Xhemajl Syla, ndërsa e kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të Luan Dalipit me arsyetimin se ndaj Dalipit, nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i njëjti e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Pas kësaj, edhe Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur kundër aktvendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë.

Ndryshe sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xhemajl Syla akuzohet se më 5 dhjetor 2018, si person zyrtar, udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi më 30 prill 2013 ishte publikuar njoftimi për kontratë për tenderin në fjalë, i akuzuari Syla, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 2013, i ka dërguar Luan Dalipit, menaxher në kompaninë MDA, dokumente të brendshme të MTI-së dhe informacione lidhur me kushtet dhe kriteret për tender.

Në bazë të këtyre informatave, vazhdon akuza, Dalipi i kishte ndryshuar pastaj kriteret e kontratës për përzgjedhjen e ekspertëve në këtë projekt, duke e përshtatur në atë mënyrë ofertën e kompanisë se tyre për tenderin në fjalë.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, Xhemajl Syla, si anëtar i komisionit për vlerësim të ofertave në këtë tender, më 24 shtator 2013 kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, e cila e obligonte që ta ruajë rreptësisht fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në vlerësimin e ofertave në procesin e prokurimit.

Mirëpo, përkundër kësaj në aktakuzë thuhet se Syla në kundërshtim me deklaratën e nënshkruar, ka dërguar tek Luan Dalipi, informacione në lidhje me vlerësimin dhe poentimin e ofertave në këtë proces të prokurimit, duke e njoftuar për përparësitë e kompanisë MDA krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.

Ai po akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet.

Të ngjashme