Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka forcuar thirrjet e tij për një armëpushim pasi autoritetet palestineze raportuan se më shumë se 10 mijë njerëz janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza.
Sekretari i Përgjithshëm u tha gazetarëve të hënën se Gaza po shndërrohej në një “varrezë për fëmijë”, me më shumë se 4 mijë e 100 të vrarë që nga fillimi i luftimeve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavë.
“Qindra vajza dhe djem thuhet se vriten dhe plagosen çdo ditë”.
“Më shumë gazetarë thuhet se janë vrarë gjatë një periudhe katër javore sesa në çdo konflikt në të paktën tre dekada. Më shumë punonjës të ndihmës së Kombeve të Bashkuara janë vrarë se në çdo periudhë të krahasueshme në historinë e organizatës sonë”.
Vërejtjet janë disa nga më të mprehtat nga Guterres, i cili më parë ka bërë thirrje për një armëpushim dhe tha të hënën se sulmet izraelite kanë shënjestruar “spitale, kampe refugjatësh, xhami, kisha dhe objekte të OKB-së, duke përfshirë strehimoret”.
“Askush nuk është i sigurt”.
Guterres kritikoi gjithashtu grupin e armatosur palestinez Hamas për përdorimin e civilëve si “mburoja” dhe vazhdimin e “lëshimit të raketave pa dallim drejt Izraelit”.
Hamasi nisi një sulm në Izraelin jugor më 7 tetor, për të cilin autoritetet izraelite thanë se vranë më shumë se 1 mijë e 400 njerëz, kryesisht civilë, dhe përfshinte vrasjen e grave dhe fëmijëve.
Ai sulm u dënua gjerësisht, por fushata e sulmeve ajrore të pamëshirshme të Izraelit në brezin e rrethuar me më shumë se 2.3 milionë njerëz ka tërhequr gjithashtu kritika.
Izraeli gjithashtu e ka vënë Gazën nën një rrethim, duke ndërprerë aksesin në gjërat e nevojshme si karburanti, ushqimi dhe energjia elektrike, ndërsa bombardimet e tij kanë zhvendosur më shumë se 1.5 milion njerëz me pak mundësi për të kërkuar strehim.