Lajme
Shefi i misionit të OSBE-së për zgjedhjet: Po e vëzhgojmë procesin e votimit në Shqipëri
Demokracia
14:24 | 11 Maj 2025

Share:

Misioni i vëzhgimit të OSBE-ODIHR po ndjek nga afër procesin e votimeve në Shqipëri për të vlerësuar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet që vendi ka marrë ndaj Bashkimit Evropian. Kryetari i misionit, Lamberto Zannier, deklaroi se puna e tyre përfshin monitorimin e gjithë procesit zgjedhor, përfshirë edhe fushatën parazgjedhore.

Sipas tij, në terren janë angazhuar 240 vëzhgues të OSBE-ODIHR, të mbështetur nga 135 përfaqësues të tjerë nga vendet anëtare të OSBE-së dhe Parlamenti Evropian. Ai theksoi se vëzhgimi nuk kufizohet vetëm në ditën e votimit, por ka nisur që prej fundit të muajit mars.

“Ne jemi këtu për të vëzhguar procesin zgjedhor dhe për të vëzhguar që këto zgjedhje janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me angazhimet e Shqipërisë kundrejt BE-së. Kjo është një nga qendrat e shumta të votimit ku jemi ne sot”.

“Si OSBE-ODIHR, ne kemi 240 vëzhgues por gjithashtu janë 135 të tjerë që janë nga vendet anëtare të OSBE dhe janë nga Parlamenti Evropian. Dita e zgjedhjeve është dita e dukshme e vëzhgimit por ne jemi këtu që nga fundi i marsit. Sigurisht ne kemi vëzhguar edhe fushatën zgjedhore dhe sot është pika e fundit. Nesër do të kemi një konferencë për shtyp”.

“Konferenca do të jetë nesër në orën 15:00 në “Rogner” dhe jeni të gjithë të ftuar aty. Nuk do të ishte domethënëse nëse do t’ju jepja një mendim sot sepse unë jam vetëm një person në një qendër votimi për momentin. Sigurisht që unë jam duke mbledhur informacion dhe kam ardhur në këtë qendër votimi sepse është një nga angazhimet e Shqipërisë që 10% e votimit të jetë elektronik. Një pjesë e vlerësimit tonë do të jenë edhe procedurat e votimit elektronik”, tha Zannier, sipas Tvklan.

Të ngjashme