Lajme
Shefi i Këshillit Evropian vjen në Ballkanin Perëndimor, takon krejt presidentët e kryeministrat përveç Kurtit
Demokracia
18:54 | 09 Maj 2025

Share:

Për katër ditë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa do të qëndrojë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën. Ndryshe prej vendeve të tjera në rajon, ai në Prishtinë sipas agjendës së publikuar tashmë, do të takojë vetëm presidenten, por jo edhe kryeministrin.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa do të vizitojë Ballkanin Perëndimor gjatë javës së ardhshme, ku pritet të takohet me liderët politikë, si dhe do të bashkëkryesojë samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, më 16 maj.

Në një njoftim për media, bëhet me dije se Costa do të qëndrojë në Prishtinë më 14 maj, ku do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në listën e liderëve me të cilët ai do të takohet, përfshihen të gjithë presidentët e kryeministrat e rajonit, përveç Albin Kurtit.

“Presidenti Costa do të vizitojë gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor, duke nisur zyrtarisht nga Beogradi më 13 maj. Ai do të takohet me presidentin Vuçiq, kryeministrin Macut dhe anëtarë të Parlamentit. Po atë ditë, ai do të udhëtojë drejt Sarajevës ku do të adresohet para trupave të EUFOR Althea dhe do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Më 14 maj, Presidenti Costa do të arrijë në Podgoricë, ku do të takohet me presidentin Milatoviq, kryeministrin Spajiq dhe anëtarë të tjerë të qeverisë. Ai do të vizitojë më pas Prishtinën për t’u takuar me Presidenten Osmani-Sadriu. Ditën tjetër, më 15 maj, Presidenti Costa do të udhëtojë në Shkup për t’u takuar me kryeministrin Mickoski dhe presidenten Siljanovska-Davkova” – thuhet në njoftim, transmeton Nacionale.

“Ndalesa e tij e fundit në Ballkanin Perëndimor do të jetë në Tiranë, ku më 15 maj ai do të takohet me Kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj dhe do të marrë pjesë në një takim me studentët e Kolegjit të Evropës”.

Sipas agjendës, pas takimit me Osmanin të mërkurën, Costa pritet të mbajë konferencë të përbashkët me të nga ora 16:45.

Sa i përket Kurtit, nuk dihet nëse një veprim i tillë i shefit të Këshillit Evropian vjen për shkak të masave të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, në verën e vitit 2023.

Kryeministri në largim vazhdimisht ka bërë thirrje për largimin e tyre. Një kërkesë të tillë, ai e pati edhe në mars të këtij viti kur takoi emisarin evropian për dialogun Peter Sorensen.

“Kryeministri kërkoi nga emisari Sørensen që BE-ja të heqë menjëherë masat e padrejta kufizuese ndaj Kosovës. Ai theksoi kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së” – thuhej në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit më 17 mars.

Të ngjashme