Intervista
Shefi i EULEX-it: Nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri për kryerësit e dhunës kushdo qofshin ata
Demokracia
21:20 | 25 Qershor 2023

Share:

Lars-Gunnar Wigemark, shef i Misionit Evropian të Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX), ka thënë se nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri për kryerësit e dhunës kushdo qofshin ata, duke iu referuar arrestimeve të fundit të disa serbëve në Kosovë si të dyshuar për sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës e punonjëseve të mediave.

Gjatë një interviste për Albanian Post, shefi i EULEX-it në Kosovë, thotë se edhe të arrestuarit i kanë të drejtat e tyre themelore. Rrjedhimisht, ka kërkuar që Policia e Kosovës të punojë më shumë me gjyqësorin.

Është zotuar se EULEX-i do t’i monitorojë të gjitha rastet e arrestimeve të fundit, ato që institucionet e Kosovës i cilësojnë si luftë kundër krimit të organizuar.

“Të jem i qartë këtu: nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri për kryerësit e dhunës kushdo qofshin ata. Sistemi i drejtësisë duhet t’i trajtojë këto raste në mënyrë profesionale dhe të paanshme duke respektuar të drejtat themelore të të akuzuarve apo të dyshuarve për kryerjen e akteve të dhunshme pavarësisht përkatësisë etnike të tyre. Dhe EULEX-i do të jetë aty për të monitoruar se si ato raste trajtohen nga institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.

Për më tepër, Lars-Gunnar Wigemark, ka shpërfaqur gjendjen në Veri të Kosovës. Ka thënë se ka grupe të armatosura, si dhe rritje të rasteve të dhunës.

Por, kjo situatë nuk duhet të normalizohet – beson se duhet të mbahen zgjedhjet në Veri, pasi votimet e prillit i cilëson si të “pjesshme”.

Për t’u zgjidhur çështja, pra de-eskalohet situata e tensionuar, shefi i EULEX-it kërkon që tavolina e Brukselit të jetë ajo ku Kosova dhe Serbia i “përplasin” dallimet.

“Situata aktuale në Kosovën veriore nuk mund të bëhet normaliteti i ri. Duhet të ketë de-eskalim të menjëhershëm, zgjedhjet e reja në veri duhet të mbahen sa më parë që është e mundur dhe me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Një zgjidhje afatgjate mund të gjendet vetëm përmes dialogut të fasilituar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është parësore për Kosovën, Serbinë, për rajonin dhe për BE-në”, ka thënë ai.

Ka disa javë që në Veri të Kosovës vazhdo gjendja e tensionuar, pasi protestuesit serbë që shpesh herë janë shfaqur si grupe të dhunshme po kundërshtojnë prezencën e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave veriore.

Lista Serbe i kishte bojkotuar zgjedhjet e prillit, pasi në vitin 2022 ata ishin larguar nga institucionet me arsyetim se ”Prishtina po i persekuton”.

Që nga ajo koha, kima e pasurisë në Veri është rritur dhe trupat ndërkombëtare paqeruajtëse janë shtuar.

Këta të fundit u sulmuan nga protestuesit e dhunshëm në Veri, akt që mori dënim deklarativ nga Bashkimi Evropian – e në këta rast Kosova thotë se “po i arreston pikërisht sulmuesit e KFOR’it, Policisë së Kosovës dhe nëpunësit e mediave”.

Të ngjashme