Lajme
Shefi i diplomacisë serbe për modelin e Belgjikës: E kemi marrëveshjen e qartë të Brukselit
Demokracia
15:11 | 31 Janar 2022

Share:

Ministri i jashtëm serb Nikola Sellakoviq ka thënë se “paraqitja e përbashkët e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun  në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesit special të SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar në Kosovë është simbolikisht domethënëse, por mbetet të shihet se sa do të jetë kjo efektive”, raporton N1.

Ai ka thënë për TV Pink se Shtetet e Bashkuara duan të mbështesin përpjekjet e BE-së dhe të Lajçakut për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por gjithashtu ka thënë se “që nga ardhja e Albin Kurtit në pozitë të kreut të qeverisë së “institucioneve të përkohshme në Prishtinë”, nuk ka dialog thelbësor”.

“Dialogu thelbësor rëndohet me mungesë të çfarëdo lloj interesi dhe vullneti të Prishtinës për të zbatuar atë për çka është marrë vesh dhe çfarë është obligimi i tyre. Obligimi i tyre është formimi i Asociacionit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Beogradi ka i ka përmbushur obligimet e saj, e Prishtina nuk e ka bërë, por e thotë publikisht, qartë dhe hapur se nuk do ta bëjnë këtë”, ka thënë shefi i diplomacisë serbe, transmeton Paparaci.

I pyetur për “modelin belg” që pritet t’i prezantohet udhëheqjes kosovare me rastin e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Selakoviq ka thënë se “Marrëveshja e Brukselit përcakton qartë kompetencat e Asociacionit”.

“Në një lloj loje, Prishtina u përpoq të ndryshojë përmbajtjen e Marrëveshjes së Brukselit duke luajtur me tregimin e shqyrtimit të kushtetutshmërisë para Gjykatës së tyre Kushtetuese”, ka pretenduar ministri i jashtëm serb.

Vendet perëndimore duhet të bëjnë presion mbi Prishtinën që të zbatojë detyrimet e saj, ka thënë Selakoviq, duke shtuar se Beogradi “nuk është faktor përçarës”.

Duke komentuar paralajmërimet për krijimin e një njësie territoriale-administrative, 30 kilometra brenda Shqipërisë dhe 30 kilometra brenda Kosovës, ai thotë se “ky është një rast për të parë se sa do të heshtë Brukseli dhe të tjerët dhe të mos deklarohen për një gjë e tillë”.

Të ngjashme