Lajme
“SHBA-të vendosën kredibilitetin e tyre në tavolinë për Kosovën, Kurti është për keqardhje”
Demokracia
22:02 | 30 Qershor 2023
Ilustrim

Share:

Përtej investimit financiar, ushtarak e politik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar edhe kredibilitetin e tyre për Kosovën, prandaj është për keqardhje në çfarë pike i ka sjellur këto raporte, kryeministri Albin Kurti, ka thënë ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA dhe nën-kryetarja aktuale e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

“SHBA-të kanë vënë në tavolinë edhe kredibilitetin e tyre si shtet kur i kanë prirë ndërhyrjes ushtarake në Kosovë. Në tavolinë, përtej fluturakeve amerikane, ka qenë kredibiliteti i SHBA-ve, kur kanë lobuar për njohjet, kanë qenë garancat e SHBA-ve, sepse për SHBA-në Kosova është një projekt i rëndësishëm, i vlefshëm dhe i suksesshëm”, deklaroi Çitaku në emisionin Blic Interview.

Prandaj, shton ajo, “është për keqardhje që Kurti e ka sjellur raportin me SHBA-të në këtë pikë”.

“Edhe në të kaluarën kemi pasur mospajtime, rënie raportesh, por asnjëherë në historinë tredekadëshe raportet nuk kanë qenë në këtë pikë. SHBA-të nuk po kërkojnë nga ne të pamundurën, nuk e kanë bërë gjithë këtë investim për t’ia cenuar sovranitetin, apo t’ia dobësuar subjektivitetin ndërkombëtar”, deklaroi Çitaku.

Vlora Citaku

Ajo ka ritheksuar edhe një herë se kërkesa amerikane ishte “një kërkesë e thjeshtë”, e ri-pozicionimit të kryetarëve në Veri në objekte alternative për shkak të situatës.

“Kurti e ka reduktuar sovranitetin e Kosovës në zyre. Për mua demonstrim shumë më i fuqishëm i sovranitetit do të ishte pjesëmarrja e ushtarëve të Kosovës në Defender 2023”, pohoi Çitaku.

“ShBA-të e dinë shumë mirë kush është Serbia, kush është Aleksandër Vuçiç-i, kush janë bandat. Ata kanë qindra veta që merren veç me këtë punë. Amerikanët e dinë shumë mirë se kush është kush, por ne duhet t’iu tregojmë se kush jemi ne”.

Të ngjashme