Rreth 17 mijë trupa pritet të marrin pjesë në stërvitjet vjetore “Balikatan”.
Forcat e armatosura të Filipineve dhe SHBA-ve fillojnë stërvitjet e përbashkëta trejavore të hënën duke simuluar një “skenar beteje në shkallë të gjerë” që synon të pengojë ambiciet e Pekinit në Detin e Kinës Jugore.
Rreth 17 mijë trupa pritet të marrin pjesë në stërvitjet vjetore “Balikatan”, të cilat për herë të parë do të përfshijnë një simulim të integruar të mbrojtjes ajrore dhe raketore, ku do të marrë pjesë edhe presidenti i Filipineve Ferdinand Marcos Jr.
Armët e sofistikuara amerikane, duke përfshirë sistemin raketor “shumë të lëvizshëm” NMESIS, do të vendosen gjithashtu, veçanërisht në ujërat që ndajnë Filipinet veriore nga ishulli i Tajvanit.
“Ne do të demonstrojmë jo vetëm gatishmërinë tonë për të mbështetur traktatin tonë të mbrojtjes së ndërsjellë që është krijuar që nga viti 1951, por edhe aftësinë tonë të pashembullt për ta bërë këtë”, tha të hënën gjenerali i marinës amerikane James Glynn në një ceremoni hapjeje në Manila. “Asgjë nuk ndërton lidhje më shpejt se fatkeqësia e përbashkët”, shtoi ai.
Të dy vendet zhvilluan më parë stërvitjen e përbashkët “Cope Thunder” midis 7 dhe 18 prillit.
Washington-i dhe Manila janë lidhur me një traktat të ndërsjellë të mbrojtjes që nga viti 1951 dhe kanë forcuar bashkëpunimin e tyre të mbrojtjes që kur Ferdinand Marcos Jr. mori detyrën në vitin 2022.