Lajme
SHBA: Status quoja pengon integrimin evropian të Kosovës dhe Serbisë
Demokracia
18:22 | 22 Qershor 2023

Share:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje edhe njëherë për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës, duke deklaruar se status quoja nuk është e qëndrueshme dhe parandalon integrimin e plotë të Kosovës dhe Serbisë në institucionet evropiane.

Në një përgjigje të ambasadorit të SHBA-së në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Carpenter, ndaj raportit të OSBE-së për Serbinë, është bërë thirrje për nisjen e implementimit të planit trepikësh evropian për shtensionimin në veri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin fuqishëm aspiratat e Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian dhe për një të ardhme demokratike, prosperuese dhe paqësore për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Status quoja është e paqëndrueshme dhe cenonin stabilitetin dhe prosperitetin ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe parandalon Kosovën e Serbinë nga integrimi i plotë në institucionet evropiane”, thuhet në pikën për çështjen e Kosovës.

Në përgjigjen e SHBA-së po ashtu thuhet se tensionet e fundit në rajon përforcojnë nevojën për rifuqizim e avancim të parimeve dhe zotimeve të OSBE-së.

Aty është përmendur nevoja për liri të mediave dhe siguri të gazetarëve e luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Megjithatë trendi i përgjithshëm është inkurajues”, thuhet në këtë përgjigje të SHBA-së për raportin.

 

Të ngjashme