Lajme
SHBA pritet t’i blejë 100 mijë fishekë nga Koreja e Jugut për Ukrainën
Demokracia
18:50 | 11 Nëntor 2022

Share:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë të blejnë 100 mijë fishekë artilerie nga prodhuesit e armëve të Koresë së Jugut për t’ia ofruar Ukrainës.

Kështu ka bërë të ditur një zyrtar amerikan, duke shtuar se kjo po bëhet si një përpjekjeje e gjerë për të gjetur armatim në dispozicion për betejat me intensitet të lartë që po zhvillohen në Ukrainë, shkruan CNN.

Si pjesë e marrëveshjes, SHBA-të do të blejnë 100 mijë fishekë 155 mm, të cilët më pas do të transferohen në Ukrainë përmes SHBA-së.

Në një deklaratë të lëshuar të premten në mëngjes, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se nuk kishte ndryshuar qëndrimin e saj për dërgimin e armëve në Ukrainë dhe se besonte se “përdoruesi përfundimtar” i municioneve janë Shtetet e Bashkuara.

“Negociatat janë duke vazhduar midis kompanive amerikane dhe koreane për të eksportuar municione, në mënyrë që të kompensohet mungesa e inventarit të municioneve 155 mm në SHBA”, tha ministria.

Pentagoni tha në një deklaratë se ka qenë “në diskutim” për “shitjet e mundshme” të municioneve nga SHBA.

Por deklaratat nga Koreja e Jugut dhe SHBA-ja bëjnë të qartë se marrëveshja, e cila ka qenë në punë prej muajsh, ende nuk është finalizuar.

Blerja e një furnizimi kaq të madh të municioneve artilerie është shumë e ndjeshme për Korenë e Jugut, veçanërisht duke pasur parasysh lëshimet e fundit të raketave dhe testet e armëve të kryera nga Koreja e Veriut.

Të ngjashme