Lajme
SHBA paralajmëron konsulta me partnerët evropianë për hapat e ardhshëm drejt arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi
Demokracia
11:00 | 15 Shtator 2023

Share:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur zhgënjimin e tyre për mosarritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, Kosovës i kërkohet formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Në një përgjigje përReporteri, një zëdhënës amerikan, ka thënë se SHBA-ja do të konsultohet me partnerët evropianë për hapat e ardhshëm – se çka të bëhet tutje pas dështimit të një marrëveshjeje dje në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë, gjithashtu, tha se dialogu i lehtësuar nga ana e Bashkimit Evropian, mbetet e vetmja rrugë për një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe me partnerët tanë të BE-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Falënderojmë dhe çmojmë përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak. Jemi të zhgënjyer që nuk u arrit një përparim. Siç e kemi thënë vazhdimisht, Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë”, tha zyrtari amerikan

“Ne presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe ato të mëparshme, sipas Dialogut dhe marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, u shpreh tutje ai.

Ai po ashtu ka shtuar se “jemi plotësisht të bashkuar me partnerët tanë të QUINT-it, në mbështetje të Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne do të konsultohemi brenda edhe me partnerët tanë evropianë për hapat e ardhshëm”.

Takimi i së enjtes në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ishte i teti me radhë që u zhvillua, por si përfundim, nuk prodhoi asgjë. Kosova e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Serbia që vazhdon ta kundërshtojë atë, janë të angazhuara në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti, po ashtu, tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Marrëveshja bazë është arritur në shkurt, por zbatimi i saj lë për të dëshiruar.

Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Borrell, duke folur për gazetarët, tha se u ka ofruar palëve propozimin e BE-së që Marrëveshja bazë të zbatohet nga të dyja ato paralelisht.

Kurti “nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit. Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de facto [e Kosovës] si hap i parë”, tha Borrell.

Për formimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë, për shkak të shqetësimeve të shprehura në Prishtinë, në lidhje me ndikimin që do të kishte ky asociacion në funksionalitetin e shtetit.

Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund të bënte kompromis me atë që ai e cilësoi si “kushtëzim të vjetër të Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Nuk ka propozim Beogradi. Ka dokument kushtëzues. Nuk mund të ketë kompromis mes propozimit dhe kushtëzimit”, tha Kurti.

Sipas tij, kushtëzimi i Serbisë është kthyer në qëndrim të emisarëve të BE-së.

“Është për të ardhur keq që emisari evropian, Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë”, tha Kurti.

Ai tha se Lajçak e ka bërë këtë “në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësues”.

Shtoi se është gjithmonë i gatshëm të diskutojë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por se draft-statuti i tij “nuk mund të negociohet nëse, fillimisht, nuk biem dakord për udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes”.

“Shpreh gatishmërinë time të plotë që secilin nen të Marrëveshjes bazike, secilën fjali të preambulës dhe secilën pikë të aneksit të Ohrit, jam i interesuar ta zbatojmë një orë e më parë – në plotni, pa asnjë kusht”, tha kryeministri i Kosovës.

Vuçiq tha se bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses, pasi Kurti, sipas tij, “e refuzoi propozimin evropian”.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona – shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiq gazetarëve.

I pyetur nga ta se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – “të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo”.

“Nëse do të konstatonim se procesi është i besueshëm dhe se po shkojmë drejt formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe, ne paralelisht do të nisnim me obligimet tona. Por, pala tjetër nuk ka pranuar”, tha Vuçiq.

“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje”, tha ai.

Marrë parasysh se nuk ka marrëveshje, një gjë e tillë “çon vetëm në probleme më të mëdha”, tha presidenti i Serbisë, por shtoi se bisedimet duhet të vazhdojnë.

Kosova – e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 – dhe Serbia – që vazhdon ta kundërshtojë atë – janë të angazhuara në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, bisedimet kanë nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar pastaj në nivel politik.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje – nga lëvizja e lirë deri te çështja e të zhdukurve nga lufta e viteve 1998/99 – por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.

Bashkimi Evropian kërkon vazhdimisht nga to që të zbatojnë gjithçka të dakorduar.

Normalizimi i marrëdhënieve, njëherësh, është kusht për të dyja vendet që të përparojnë në procesin e integrimit në Bashkimi Evropian.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE vitin e kaluar, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.

Të ngjashme