Lajme
SHBA me ndihmë të re prej 2.13 miliardë eurove për Ukrainën – po realizohen kërkesat e Zelenskyt
Demokracia
21:34 | 02 Korrik 2024

Share:

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se Uashingtoni së shpejti do të shpallë një ndihmë shtesë prej 2.13 miliardë eurove për Ukrainën.

Paketa do të përfshijë armë antitank, interceptorë dhe municione për Patriot dhe sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore.

Kjo është një përgjigje e fortë pas kërkesave të fundit të Kievi për ndihmë në luftën kundër forcave ruse në rajonin lindor të Donetskut, raporton skynews.

Kujtojmë se javën e kaluar forcave ruse kanë hedhur mbi 800 bomba në rajonet e ndryshme të Ukrainës.

Të dielën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u kërkoi udhëheqësve botëror të lehtësojnë kufizimet në përdorimin e armëve perëndimore për të goditur objektivat ushtarake brenda Rusisë, duke shtuar se Ukraina kishte nevojë për “mjetet e nevojshme për të shkatërruar transportuesit e bombave, përfshirë aeroplanët luftarakë rusë, kudo që të jenë”.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe shefi i shtabit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak kanë diskutuar synimin e anëtarëve të NATO-s për ta afruar Ukrainën me aleancën.

Blinken ka thënë se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s dhe se samiti do të “ndihmojë në ndërtimin e një ure” për këtë rezultat, tha zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

“Ata folën për një sërë çështjesh, duke përfshirë Samitin e ardhshëm të NATO-s në Uashington dhe synimin e aleatëve për ta sjellë Ukrainën më afër anëtarësimit në NATO dhe për të ndihmuar në forcimin e aftësisë së Ukrainës për t’u mbrojtur kundër agresionit rus”, tha Patel.

Takimi i tyre në Uashington vjen përpara një samiti të NATO-s në kryeqytetin e SHBA javën e ardhshme, në të cilin Ukraina shpreson të sigurojë më shumë garanci nga aleanca për ofertën e saj për anëtarësim.

Ndryshe, SHBA-ja është donatori kryesor i forcave ukrainase, të cilat po luftojnë kundër okupuesve rusë që nga 24 shkurti i vitit 2022.

Të ngjashme