Ambasadori i ri amerikan në Beograd, Christopher Hill ka thënë se nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në NATO, e ka mbështetjen e SHBA-së.
Hill gjatë së mërkurës ka marrë pjesë në konferencën “Pozita e Serbisë në Komunitetin Euro-Atlantik”, ku tha se ky vendim, është i vështirë për Serbinë, përcjell Demokracia.com.
Megjithatë, ai shtoi se SHBA-ja do ta mbështeste Serbinë, nëse dëshiron që të anëtarësohet.
“Unë jam shumë i vetëdijshëm për marrëdhëniet tona historike (SHBA) me Serbinë, të cilat kanë pasur momente të mëdha, por edhe momente të vështira. Sigurisht, jam shumë i vetëdijshëm se momenti në të cilin jemi tani me Serbinë është pozitiv dhe ne synojmë të bëjmë më shumë së bashku. Sot ne jemi më afër se në të kaluarën dhe është e sigurt se politika e vazhdueshme e Serbisë në OKB dhe votimi që kritikon dhe dënon sinqerisht shkeljen e pavarësisë së Ukrainës janë qëndrime që ndajmë dhe presim me padurim marrëdhënie të cilat do të testohen në këto kohë të vështira”, tha ai.
Ambasadori amerikan iu referua edhe politikës së sigurisë së Beogradit, duke thënë se “në fund të fundit, se si Serbia i përcakton çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, i takon qeverisë serbe dhe marrëdhënieve të saj me popullin”, përcjell Demokracia.com.
“Nuk i takon Shteteve të Bashkuara t’i tregojnë Serbisë apo, sinqerisht, askujt se si t’i organizojë interesat ndërkombëtare në të ardhmen. Por është në interesin tonë të punojmë me Serbinë dhe ne jemi krenarë për marrëdhëniet që kemi zhvilluar me Serbinë në të kaluarën”, tha ai.
Ndryshe, Hill ka nisur punën e tij si ambasador në Serbi gjatë javës së kaluar./Demokracia.com/