Lajme
ShBA-ja nuk lëkundet: Si na garantoi Amerika se ende e kërkon njohjen mes Kosovës dhe Serbisë?
Demokracia
23:25 | 15 Qershor 2024

Share:

Po vazhdon të shkaktojë reagime edhe më tutje deklarata e ambasadorit amerikan, Christopher Hill, i cili la të kuptohet se njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në lidhje me këtë, së fundi janë deklaruar edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Një zëdhënës i DASh-it, fillimisht, ka thënë se presin nga të dyja shtetet që tt’i zbatojnë të gjitha angazhimet që kanë, pa vonesa e parakushte.

“SHBA-ja vazhdon të mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie të normalizuar, paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar. Ne presim që Kosova dhe Serbia t’i respektojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha angazhimet e tyre rreth dialogut, pa vonesa apo parakushte.” – ka thënë ai për ‘Reporteri’.

Tutje, në përgjigjen e tyre është përsëritur se synimi është njohja eventuale e ndërsjelltë mes dy vendeve.

“E ardhmja e të dy vendeve është në institucionet evropiane, normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara” – citohet se ka thënë ai.

Çka tha Hill?

Në një intervistë për revistën “NIN”, ai ka thënë se as disa shtete evropiane nuk e njohin Kosovën si shtet, transmeton nacionale.

Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë.” – u shpreh Hill.

Çka tha ambasadori amerikan në Kosovë?

Jeff Hovenier, ambasador i ShBA-së në Kosovë, ditë më parë tha se përfundimi duhet të jetë me njohje mes dy vendeve, dhe jo me “diçka më pak”.

“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”.– u shpreh ai.

Cili është qëndrimi i BE-së?

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ndonëse nuk ka komentuar “njohjen formale”, e ka bërë të qartë se cilat janë kushtet për Serbinë.

Serbia nuk do të ketë progress në negociatat e anëtarësimit, pa progress në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit. Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë, nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit.” – ka thënë ai.

Të ngjashme