Lajme
SHBA-ja ndan edhe 700 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën
Demokracia
19:56 | 01 Qershor 2022

Share:

Administrata Biden njoftoi të mërkurën detaje të paketës së re të sigurisë në vlerë prej 700 milionë dollarësh që po e dërgon në Ukrainë, e në të cilën përfshihen sisteme raketash me rreze më të gjatë se ato të dërguara në paketat e mëparshme.

Sistemet raketore të artilerisë së lëvizshmërisë së lartë (HIMARS) do t’u ofrojnë trupave ukrainase saktësi më të madhe kur godasin forcat ruse, u thanë gazetarëve zyrtarë të lartë të administratës, raporton Reuters të mërkurën.

Zyrtarët theksuan se këto sisteme të reja nuk do të përdoren për të goditur objektivat brenda Rusisë.

Zyrtarët thanë gjithashtu se nuk do t’i japin Ukrainës armë me rreze të gjatë veprimi, që mund të preknin territorin e Rusisë. Zyrtarët shtuan se Ukraina ka siguruar SHBA-në se nuk do të lëshojë raketa me rreze të mesme veprimi në territorin rus.

Paketa e ndihmës përfshin gjithashtu sisteme radari, më shumë raketa Javelin, armë kundër autoblindave dhe helikopterëve, automjete taktike dhe municion të ndryshëm.

Vendimi i SHBA-së për të siguruar sisteme të avancuara të raketave është një përpjekje për ta ndihmuar Ukrainën që të luftojë artilerinë ruse, ndërsa nuk siguron armë që mund të bëjnë Ukrainën të godasë objektivat thellë brenda Rusisë dhe të shkaktojë një përshkallëzim në luftë.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov tha se Moska e sheh paketën e fundit të ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën “jashtëzakonisht negativisht”, duke shtuar se kjo do të rritë rrezikun e një konfrontimi të drejtpërdrejtë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Ai vuri në dukje veçanërisht pajisjet HIMARS.

Në një ese të botuar të martën në mbrëmje në “The New York Times”, presidenti Biden konfirmoi se ai ka vendosur t’u “sigurojë ukrainasve sisteme dhe municione më të avancuara raketash që do t’u mundësojnë atyre të godasin më saktë objektivat kryesore në fushën e betejës në Ukrainë”.

Bideni ka thënë po ashtu se SHBA-ja nuk do t’i dërgojë Ukrainës “sisteme raketash që mund të godasin Rusinë”.

Paketa e ndihmës e bërë e ditur të mërkurën do të dërgojë në Ukrainë ato që SHBA-ja i konsideron raketa me rreze të mesme – të cilat mund të godasin objektiva në rreth 70 kilometra.

Pritet që Ukraina të mund t’i përdorë raketat në rajonin lindor të Donbasit, për t’i rikthyer pozicionet në qytetet ku luftimet janë intensive, si Sievierodonetsk.

SHBA-ja, që nga nisja e luftës më 24 shkurt, i ka ndarë Ukrainës me dhjetëra miliardë dollarë.

 

Të ngjashme