Lajme
ShBA-ja e qartë për takimin e 27 shkurtit: Nga Kurti dhe Vuçiqi presim të jenë konstruktivë
Demokracia
11:11 | 24 Shkurt 2023

Share:

Takimi i  27 shkurtit në mes kryeministrit  të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Bruksel, po afrohet. Miroslav Lajçak, i dërguar i Posaçëm i BE-së për dialogun e Kosovë-Serbi, të enjten deklaroi se marrëveshja është e tipit “mere ose lëre”, pra e panegociueshme.

E për çështjen e dialogut janë deklaruar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një përgjigje për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, Departamenti i Shtetit ka theksuar se nga Kurti e Vuçiqi presin të jenë “konstruktivë”.

“Ne presim që të dy liderët t’i qasen takimeve në frymën konstruktive të nevojshme për të ecur përpara në përputhje me të.” – deklaroi VOA në serbisht, transmeton Koha.

Tutje, në përgjigjen e tyre, DASh-i vlerëson se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” – theksohet në përgjigjen e DASH-it.

Sigurisht, nga DASh-i nuk kanë harruar të përmendin pranimin që Kosova e Serbia ia kanë bërë planit franko-gjerman.

“Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian theksuan mundësitë e propozimit të Bashkimit Evropian dhe theksuan rëndësinë e përparimit të shpejtë – për të shmangur rrezikun e përshkallëzimeve të mëtejshme.” – thuhet nga DASH-i.

Ndryshe në një intervistë për RTK-në, Lajçak deklaroi se propozimi evropian nuk negociohet dhe pret që presin që zyrtarisht palët të deklarojnë nëse e pranojnë planin.

“Presim që ata (Kurti dhe Vuçiq” që zyrtarisht dhe publikisht të deklarohen se e pranojnë planin. Duhet të jetë më shumë se një pranim gojor.” – tha Lajçak.

Kujtojmë që z. Josep Borrell, shef i diplomacisë së BE-së, e ka quajtur takimin e 27 shkurtit si moment vendimtar.

“Dialogu Beograd-Prishtinë i ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve është në një moment vendimtar…Unë do të pres të dyja palët në Bruksel javën e ardhshme dhe shpresoj që ata të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi unike…“Shpresoj që javët në vazhdim mund të ofrohen rezultate pozitive.” – ka thënë ai.

Tutje, ai tregoi se do të takohet me z. Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel.

“Unë do të takohem me ata të dy në Bruksel më 27 shkurt. Dhe i ftova të vijnë dhe të diskutojmë një ditë të tërë sepse kemi një propozim në tryezë, dhe shpesoj që ata mund të pranojnë këtë propozim si rrugë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre.” – deklaroi ai për DW.

Të ngjashme