Lajme
SHBA, epidemi vetëvrasjesh mes Navy Seals
Demokracia
22:14 | 01 Korrik 2024

Share:

Ata janë Navy Seals, njësia speciale legjendare e Marinës Amerikane që eliminoi Osama bin Laden.

Megjithatë, ata janë edhe ndër viktimat kryesore të një epidemie vetëvrasjesh, të shkaktuar nga dëmtimi i trurit të pësuar gjatë operacioneve të tyre ushtarake.

Kjo u zbulua nga një hetim i New York Times.

Për shembull, historia dramatike e togerit të dytë David Metcalf, i cili vdiq në garazhin e shtëpisë së tij në Karolinën e Veriut në vitin 2019, pas gati njëzet vjet shërbimi.

Më 2 janar, David kishte mbledhur një grumbull librash për “lëndimet e trurit” pranë tij.

Ai qëlloi veten në zemër, me qëllim, për të vdekur pa dëmtuar trurin e tij, të cilin donte ta linte të paprekur për t’u analizuar nga një laborator i Departamentit të Mbrojtjes në Maryland.

Më pas u krye ekzaminimi, duke zbuluar një sërë lëndimesh të pazakonta, të lidhura përgjithësisht me ato të ekspozuara ndaj valëve të fuqishme goditëse të shkaktuara nga shpërthimet.

Problemi është se rezultatet nuk kishin arritur kurrë te udhëheqja e SEALs, as mesazhi i dëshpëruar i lënë nga Metcalf.

Prandaj, askush nuk u përpoq të kuptonte dhe frenonte urgjencën.

Tani këto rezultate janë zbuluar nga New York Times, e cila ka publikuar një investigim të gjatë për t’i vendosur ato në kontekstin e duhur.

Gjatë dekadës së fundit, të paktën një duzinë anëtarë të forcave speciale të marinës amerikane janë vetëvrarë gjatë detyrës ose menjëherë pas përfundimit të saj.

Analizat e kryera në trurin e tyre treguan se secili kishte qenë viktimë e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet.

Jo ato të armëve armike, sepse askush nuk ishte lënduar në luftime, pavarësisht se të gjithë kishin marrë pjesë në aksione luftarake.

Ajo që i kishte dëmtuar, deri në atë pikë sa nuk duronin më të qëndronin gjallë, ishin pajisjet e tyre.

Ekspozimi ndaj armëve – bombave, eksplozivëve që përdornin – u kishte lënë plagë në tru, duke shkaktuar këto plagë të padukshme por të pashërueshme.

Dhe i kishte zhytur në dëshpërim, deri në atë pikë sa e shihnin të vetmen rrugëdalje te vetëvrasja.

Të ngjashme