Lajme
SHBA e zhgënjyer me Serbinë: Mos të barazohet agresioni rus me intervenimin e NATO-s në vitin 1999
Demokracia
12:59 | 02 Prill 2022

Share:

Zyrtarja amerikane e Pentagonit, Laura Cooper, ka thënë se SHBA është zhgënjyer me Serbinë pasi nuk po bashkëpunon sa i përket luftës Rusi-Ukrainë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Cooper ka thënë se Serbia duhet të marrë një vendim për vetën e saj, përcjell Demokracia.com.

“Nuk është në interesin e Serbisë të bashkëpunojë me një ushtri që masakron një popullatë, një ushtri që bombardon civilët. Dhe sinqerisht, nuk është në interesin e Serbisë të ketë partneritet me një ushtri që po vuan pasoja kaq të qarta në fushën e betejës, me një moral kaq të ulët, një ushtri ku udhëheqësit nuk u besojnë ushtarëve të tyre”, tha ajo.

Cooper ka kritikuar Moskën e cila po përmend vazhdimisht ndërhyrjen e NATO-s në Serbi, për ta ndalur kriminelin serb, Sllobodan Millosheviq.

“Nuk ka absolutisht asnjë ngjashmëri mes këtyre situatave. Ajo që shohim sot është një fuqi e madhe që ka zgjedhur të sulmojë një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike pa asnjë provokim dhe po kërkon të pushtojë pjesë të konsiderueshme të atij vendi duke bombarduar popullsinë civile dhe duke penguar dhënien e ndihmës humanitare . Nuk ka absolutisht asnjë të përbashkët”, shtoi ajo.

Mes tjerash, Cooper ka theksuar se Rusia po kërkon të nxisë tensione në Ballkan./Demokracia.com/

Të ngjashme