Lajme
SHBA dënon sulmin ndaj “TIMS”: Keqdashës, po mbështesim Shqipërinë për rikthimin e sistemit
Demokracia
08:34 | 11 Shtator 2022

Share:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar sulmin kibernetik të Iranit ndaj sistemit TIMS të Shqipërisë, që vjen dy ditë pasi qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit si përgjigje ndaj sulmit kibernetik të korrikut.

Në një deklaratë të lëshuar në rrjetet sociale, Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë e ka cilësuar sulmin e radhës nga Irani keqdashës, duke theksuar më tej se SHBA po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të rikthyer sistemin.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin kibernetik të 9 shtatorit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërisë. Ky aktivitet keqdashës kundër Shqipërisë vjen pas sulmit kibernetik të 15 korrikut të kryer nga qeveria e Iranit. Qeveria e SHBA po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të rikthyer sistemin”, shkruhet në postimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë .

Sulmi i radhës kibernetik nga Irani kundrejt Shqipërisë është regjistruar mbrëmjen e 9 shtatorit ndaj sistemit TIMS, përmes të cilit në kufijtë tanë bëhet kontrolli dhe regjistrimi i personave që hyjnë e dalin.

“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, tha kryeministri Edi Rama teksa bëri me dije sulmin e radhës.

Në orën 22:10 janë ndërprerë shërbimet në TIMS. Një goditje tjetër ndodhi në orën 23:13 duke bërë të pamundur aksesin në këtë sistem nga shërbimet policore në doganat e vendit.

“Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të Kultit MEK në Durrës, dhe se loja do të vazhdojë”, ishte ky mesazhi që iu shfaq në ekran policëve të kufirit pas sulmit.

Bllokimi i sistemit TIMS ka shkaktuar radhë në pikat kufitare në vend. Kjo i ka detyruar autoritetet që veprimet të kryejnë manualisht. Të gjitha hyrje daljen janë shënuar në regjistër.

Të ngjashme