Lajme
“Shatervani” në Prizren në këtë gjendje edhe për dy muaj, kjo është arsyeja
Demokracia
19:22 | 03 Qershor 2021

Share:

Tash e disa ditë në sheshin kryesor të Prizrenit po vijojnë punimet, me ç’rast janë hapur gropa të shumta në një prej hapësirave që frekuentohet më së shumti nga qytetarët dhe turistët në këtë qytet historik. Puna në këtë pjesë pritet që të vazhdojë edhe për dy muaj, kanë bërë të ditur nga kjo komunë për Demokracia.com.

Gjatë ditëve të fundit shumë qytetarë janë ankuar për punimet që po zhvillohen në sheshin “Shatervan” në qytetin e Prizrenit.

Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka pyetur në Komunën e Prizrenit. Nga Zyra për Informim kanë konfirmuar se janë duke u kryer punime nga KEDS-i.

“Punimet në sheshin “Shatervan” janë duke u kryer për jetësimin e një projekti shumë të rëndësishëm, të futjes së kabllove të rrymës elektrike, dhe të atyre të internetit dhe të televizorëve, në rrjet nëntokësor. Punimet janë duke u kryer nga KEDS-I”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Veç kësaj, nga komuna për Demokracia.com kanë thënë se punimet pritet të vazhdojnë edhe për rreth dy muaj.

Ndërkaq, KEDS në një përgjigje për Demokracia.com ka dhënë detaje rreth këtij investimi që kap shifrën prej mbi 600 mijë euro.

“KEDS është duke implementuar projektin në qytetin e vjetër të Prizrenit. Përmes kontraktorëve tanë, atje kabllot po vendosen nëntokë, derisa të gjitha shtyllat po largohen. Investimi i cili kap shifrën prej mbi 600 mijë eurosh e që përfshinë rreth 19km kabllo nëntokësore po i ben nje zgjidhje afatgjatë qytetit historik të Prizrenit. Këto investime krahas qendrës së qytetit (sheshit) përfshijnë edhe rrugët përreth qendrës e deri tek Kalaja”, thuhet në deklaratën nga KEDS.

KEDS mes tjerash për Demokracia.com ka thënë se përmes këtij projekti po krijohet një infrastrukturë e re energjetike e cila do të mundësojë që qytetarët mos të afektohen në rast të punimeve në rrjet.

“Punimet janë duke u zhvilluar sipas planifikimeve dhe brenda planit dinamik të punës. Tek sheshi i Shatërvanit punimet tashmë janë afër finalizimit, ndërsa projekti në tërësi ku përfshihen edhe rrugët përreth e deri tek Kalaja parashihet të përfundohet deri në fund të vitit”, kanë bërë të ditur nga KEDS-i.

Ndërkohë, Demokracia.com ka siguruar edhe disa pamje nga Prizreni dhe nga pjesa ku po kryhen punimet.

Siç mund të shihet, një pjesë e kalldrëmave në këtë shesh, është hequr dhe janë krijuar gropa të mëdha si pasojë e punës./Demokracia.com/

 

Të ngjashme