Xherdan Shaqiri është duke kaluar nëpër sezonin e tij më të mirë në karrierë.
Rikthimi te Baseli ka qenë vendimi më i mirë që ka marrë Shaqiri, pasi është në rrugë ta rikthej këtë skuadër të trofetë.
33-vjeçari është duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme, ku në 33 ndeshje ka shënuar 16 gola dhe ka asistuar në 18 të tjerë.
Baseli aktualisht po udhëheq kampionatin me 61 pikë, gjashtë më shumë se Servette në vendin e dytë.
Ndërkohë të dielën ata mposhtën edhe Lausannen në gjysmëfinale të Kupës dhe në finale do të përballen me skuadrën e Ligës së Tretë, Biel-Bienne.
Shaqiri ka thënë të dielën për gazetën zvicerane ’20 minuten’ se synon që të fitoj dy trofetë me Baselin këtë edicion.
“Po bëj çdo gjë që të jem i suksesshëm me Baselin. Tani mund të fokusohemi në ligë. Kemi ndeshje të vështirë me Servetten, por me stadiumin plot mund të bëjmë hapin para”, ka thënë Shaqiri në një intervistë për “20 minuten”.
“Jam shumë i lumtur, të gjithë janë të lumtur. Në finale të kupës arrihet vetëm me shumë punë. Jemi të gjithë krenarë dhe duam të fitojmë trofeun në Bernë. Do të jetë një ndeshje e madhe në stadium të mbushur. Finalet e Kupës janë gjithnjë të veçanta”, ka deklaruar ylli kosovar.