Lajme
Shaqir Totaj i bëri një muaj kryetar, por ende s’i ka emëruar drejtorët
Demokracia
09:51 | 08 Janar 2022

Share:

As komuna e Prizrenit ende nuk i ka emëruar drejtorët e saj. Janë bërë një muaj prej kur Shaqir Totaj i PDK-së e ka marrë zyrtarisht detyrën e re, por ai nuk e ka emëruar ende as shefin e tij të kabinetit.

Demokracia.com ka pyetur në komunën e Prizrenit nëse janë bërë emërimet nëpër drejtori dhe në kabinetin e kryetarit, megjithatë një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

“Deri sot nuk janë emëruar drejtorët. As shefi i kabinetit nuk është emëruar”, ka thënë shkurtër zëdhënësi i kësaj komune, Ylber Berisha.

Më 6 dhjetor të vitit 2021, Shaqir Totaj mori detyrën si kryetar i Prizrenit me mandat katërvjeçar.

“Jam mirënjohës, po ashtu, edhe për mundësinë që në të ardhmen, kurdo që kemi nevojë me informacione shtesë për projektet, t’iu drejtohemi juve dhe drejtorët aktual eventualisht të vazhdojnë punën për të siguruar një kontinuitet që qyteti ka nevojë. Ne gjithsesi do të vazhdojmë me një përkushtim dhe qasje pak më ndryshe”, kishte thënë Totaj para mediave.

Shaqir Totaj i PDK-së në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 14 nëntor mori 50.93 për qind të votave ose 27 mijë e 689.

Mytaher Haskuka i LVV-së doli i dyti, duke e humbur kështu këtë komunë, më 49.07 për qind të votave./Demokracia.com/

Të ngjashme