Në Twitter tashmë është quajtur “shalli i skandalit”. Është ai që kryeministri hungarez Viktor Orbán veshi një ditë më parë gjatë miqësores së futbollit kundër Greqisë, duke paraqitur një hartë të asaj që quhej “Hungaria e Madhe”.
Kjo hartë përfshin territoret aktuale të Austrisë, Sllovakisë, Rumanisë, Kroacisë, Serbisë dhe Ukrainës.
“Hungaria e Madhe” i referohet kufijve të Mbretërisë së Hungarisë deri në vitin 1918 dhe tokave të humbura pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Një gjest jo shumë i vlerësuar nga fqinjët ukrainas. Qeveria e Kievit ka njoftuar se do të thërrasë në një notë proteste ambasadorin hungarez.
“Promovimi i ideve revizioniste në Hungari nuk kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve ukrainaso-hungareze. Ambasadori hungarez do të jetë i ftuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila do të informohet për papranueshmërinë e aktit të Viktor Orban. Ne presim një falje zyrtare nga pala hungareze dhe një përgënjeshtrim të shkeljeve të integritetit territorial të Ukrainës”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oleg Nikolenko, shkruan gazetasi.al.
Edhe eurodeputeti rumun Alin Mituta foli për “sjellje të papërgjegjshme” nga ana e Orbanit. Po ashtu, edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç ka reaguar lidhur me këtë çështje.
“Nuk kam kohë të merrem me këto shaka. Por për sa i përket dëshirave territoriale për territorin kroat nga kushdo, përfshirë Hungarinë, këto të fundit janë absolutisht të papranueshme”, është shprehur Plenkoviç.
Kjo nuk është hera e parë që lideri hungarez shkakton zemërim pasi në intervistë të dhënë këtë vit ai akuzoi Kroacinë për “vjedhjen” e detit nga Hungaria.