Lajme
Shakaja e hidhur ruse për Melonin dhe rënia e mundshme e këshilltarit për dialogun Kosovë-Serbi
Demokracia
21:16 | 01 Nëntor 2023

Share:

Një shaka e hidhur vë në siklet Giorgia Melonin!

Dy aktorë humoristikë rusë, njëri prej të cilëve u hoq si politikan afrikan, ranë në kontakt me kryeministren italiane për një bisedë mbi situatën gjeopolitike, bisedë e cila më pas u përhap në mediat sociale dhe u dha nga agjencia shtetërore ruse, Tass.

Në bisedë telefonike Meloni flet veçanërisht për Ukrainën dhe joefektivitetin e kundërofensivës: “Ka shumë lodhje nga të gjitha anët” në lidhje me konfliktin dhe “po afron momenti kur të gjithë do të kuptojnë se na duhet një rrugëdalje”.

Kryeministrja vazhdoi duke u shprehur se “problemi është të gjendet një rrugëdalje e pranueshme për të dyja palët pa e shkatërruar të drejtën ndërkombëtare.

Unë kam disa ide se si ta trajtoj këtë situatë, por jam duke pritur kohën e duhur për t’i vënë ato në tryezë”, iu ka thënë giorgia Meloni.

Kryeministria u detyrua të ndërhynte me një shënim zyrtar në të cilin dy aktorët e humorit përkufizohen si mashtrues.

Gjatë bisedës shaka, kryeministrja foli edhe për emigrantët: “Europa mendoi për një kohë të gjatë se mund ta zgjidhte problemin duke e kufizuar në Itali. Ajo që ata nuk kuptojnë është se është e pamundur. Dimensioni i këtij fenomeni është i tillë që përfshin jo vetëm BE-në, por për mendimin tim edhe OKB-në. Problemi është se të tjerëve nuk u intereson dhe të gjithë janë dakord që Italia duhet ta zgjidhë e vetme këtë problem”, ka thënë gjatë telefonatës.

Dy aktorët e humorit në të kaluarën kanë goditur liderët ndërkombëtarë si kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, ministrin e jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen dhe ish-sekretarin amerikan të Shtetit, Henry Kissinger.

Tashmë ka nga ata që thonë se, pas pritës së “komediantëve” rusë ndaj Giorgia Melonit, do të ketë një kokë që duhet të bjerë, ajo e këshilltarit diplomatik të Palazzo Chigi-t, Francesco Talò.

Nuk është e sigurt të jetë pikërisht ai që ka menaxhuar fizikisht telefonatën mes dy rusëve, por fakt është se ai është përgjegjësi i zyrës dhe në këto raste përgjegjësi është ai që mund të paguajë.

Edhe pse ka mundësi që Meloni të presë pak, për të mos u dorëzuar para kërkesave të opozitës.

E gjitha duket një paradoks. Talò është padyshim një nga pjesët më atlantiste të diplomacisë italiane, e cila ka brenda saj, siç dihet, disa grupime të ndryshme, jo të gjitha saktësisht euroatlantike.

Nuk mund të pranohet që Talò të ishte kaq naiv, me 40 vjet në diplomaci që kulmuan me rolin e përfaqësuesit të përhershëm të Italisë në NATO në Bruksel që nga viti 2019.

Para kësaj, Talò kishte qenë koordinator për sigurinë kibernetike në Farnesinë, një figurë që duhet të merret institucionalisht me bashkërendimin e aktiviteteve italiane kundër ndërhyrjeve, dezinformatave, ndërhyrjeve të huaja (kibernetike, por jo vetëm).

Talò atëherë kishte mbajtur poste si i dërguar i posaçëm i Ministrit të Jashtëm për Afganistanin dhe Pakistanin dhe më parë kishte qenë konsull i përgjithshëm në Nju Jork (nga 2007 deri në 2011) dhe shef i misionit në Tel Aviv.

Së fundmi Talo’ ka detyrën e këshilltarit dhe përfaqësuesit për kryeministren italiane në procesin e dialogut Kosovë-Serbi së bashku me Emmanuel Bonne e Jens Ploetner, njëri si përfaqësuesi i presidentit të Francës e tjetri si përfaqësuesi i kancelarit të Gjermanisë.

Me pak fjalë, duket se ka pak për të qeshur në gjithë këtë histori.

I pari që dha lajmin për “shaka-në” me Melonin, dhe kjo nuk duket rastësi, ishte propagandisti shtetëror i Vladimir Putinit, Vladimir Solovyov, i cili është edhe më i lidhuri me shërbimet ruse.

Fakti që vetë zyra e Talo-s u përfshi në këtë aferë është një kënaqësi e dyfishtë për Moskën, sepse Talò konsiderohet si një nga drejtuesit e “partisë atlantike” të Palazzo Chigi-t.

Në janar, Talò kishte qenë në Uashington për të zhvilluar bisedime në Departamentin e Shtetit me numrin dy të diplomacisë amerikane, Wendy Sherman, dhe në Uashington ai kishte takuar Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve.

Nëse Meloni ka mbajtur qëndrime korrekte dhe euroatlantike në dosjen ukrainase-ruse (që në fakt nuk i mohon as në telefonatën me dy rusët), si edhe në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, shumë i takon edhe punës së Talo-s.

Gëzim në Kremlin për shakanë e dy aktorëve të humorit që rastësisht bëjnë shaka me të gjithë liderët e padëshiruar në Kremlin (shakaja e fundit i është bërë ministrit anglez Ben Wallace), por që nuk guxojnë të bëjnë shaka me Kremlinin.

Që gjëja mban erë “operacioni” kjo shihet një milje larg, vërtetohet edhe nga datat dhe orët.

I pari që dha lajmin e telefonatës me dy rusër, siç u tha, ishte propagandisti shtetëror Solovyov, në orën 8.11 të mëngjesit të sotëm në kanalin Telegram.

Palazzo Chigi informoi menjëherë se episodi ndodhi «më 18 shtator në kuadrin e angazhimit intensiv të zhvilluar në ato orë nga Presidentja Meloni për të forcuar marrëdhëniet me liderët afrikanë me të cilët ajo pati takime të rëndësishme në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në datat 19 dhe 21 shtator”.

Në Rusi, megjithatë, ata pritën 45 ditë për të transmetuar këtë audio dhe e bënë pikërisht në momentin kur Kremlini po përhap narrativën më të mirëpritur përmes njëmijë kanaleve perëndimore, atë të “lodhjes perëndimore”, të lodhjes së Perëndimit për shkak të ngërçit të luftës në Ukrainë.

Në shtator, në fakt, lodhja dhe ngërçi do shiheshin më pak se tani.

Të ngjashme