Lajme
S’flet për rolin e “sekserit”, Martin Berishaj i patrauzar vazhdon takimet në Kroaci
Demokracia
15:08 | 16 Maj 2022

Share:

Edhe pse po bëhet gati një muaj që kur mediat sllovene zbuluan se ambasadori Martin Berishaj dyshohej si i përfshirë në një aferë të madhe të shpëlarjes së parave, ai po vazhdon i qetë detyrën e tij.

Prej ditës që doli lajmi se Berishaj është i përfshirë në një aferë me kompaninë GEN-I, dega në Serbi, nga e cila pranoi qindra mijëra euro, ai u mbrojt nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Donika Gërvalla, përcjell Demokracia.com.

Vetëm një herë ai u pa në Kosovë, konkretisht në MPJD, por askush nuk e foli asnjë fjalë se çka i raportoi Berishaj shefes së tij.

Ndonëse nuk ka dashur të flas për dyshimet rreth implikimit të tij në aferën që tronditi Kosovën e Ballkanin, Berishaj ka zhvilluar disa aktivitete.

Para pak ditësh, ambasadori i dyshuar për përfshirje në shpëlarje të parave është takuar me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit.

“Nunciatura Apostolike në Zagreb në kuadër të festimeve të 30 vjetorit të njohjes së Kroacisë dhe 25 vjetorit të ratifikimit të 3 Marrëveshjeve dypalëshe, ndërmjet Kroacisë dhe Selisë së Shenjtë u nderua me vizitën e SH.T. kardinalit Pietro Parolin Sekretari i Shtetit të Selisë së shenjtë, i cili kishte ardhur për të shënuar këtë ngjarje, kremtimin tradicional të Ditës së Papës”, thuhej në njoftimin e ambasadës së Kosovës në Kroaci, të cilin e ka shpërndarë edhe Berishaj.

E shprehja shqiptare ‘Fikë se fikë, bile me muzikë”, por jo financiarisht, duket se i përshtatet pak edhe ambasadorit të dyshuar si sekser, i cili ende nuk po arrin të dalë prej këtij skandali rajonal.

Në faqen e ambasadës është njoftuar edhe për një takim të tij me disa muzikantë.

“Muzikantë të shumtë të njohur shënuan jubileun e 170 vjetorit te Odës Ekonomike te Kroacisë (HGK), me performancat e tyre në sallën e koncerteve Vatroslav Lisinski, në Zagreb. Koncerti humanitar “Tradita për të Ardhmen” u mbajt mbrëmë me 8 maj në sallën e koncerteve “Vatroslav Lisinski”, me fillim nga ora 20:00, e ku mori pjesë ambasadori i Kosovës në Kroaci Dr. Martin Berishaj që u prit nga kryetari i HGK z Luka Burilović. Interpretues të njohur si ansambli LADO, Klapa Kaše, Jure Brkljač, Viktorija Kulišić Đenka, Filip Hozjak, Vanda Winter, Vlatka Kopić Tena, Josip Lončar, Elis Lovrić, Blanka Došen, dyshja Hojsak Tambrojk etj. Orkestra e Radio Televizionit Kroat  ishte nën drejtimin e maestro Siniša Leopold.”, kishte njoftuar ambasada.


Berishaj pas daljes publike të aferës u takua edhe me ambasadorin korean Hong Sung Wook.

Në fotografitë e postuara dukej plot disponim dhe me homologun nga Koreja e Jugut kishin biseduar për situatën e sigurisë pas invazionit rus në Ukrainë, shkruan Demokracia.com.

Lajmi i mirë ishte që ambasadori Martin Berishaj nuk kishte folur edhe me homologun e tij korean për energjinë elektrike, temën e tij të preferuar.

“Ambasadori i Kosovës në Kroaci Dr. Martin Berishaj, priti në takim, ambasadorin e Republikës së Koresë z Hong Sung-Wook. Në takim u bisedua për situatën e krijuar në botë pas invazionit rus në Ukrainë si dhe për gjendjen në bashkësinë ndërkombëtare, si refleks i luftës në Ukrainë si dhe për marrëdheniet e mira me shtetin korean, duke vu ne pah mbështetjen që pritet të na e bëjnë lidhur me antarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e ambasadës së Kosovës në Zagreb.

Berishaj ishte takuar edhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliq Radman.

Në njoftimin e ambasadës u tha se në këtë takim u bisedua për mbështetjen e pa rezervë të shtetit kroat në rrugën dhe iniciativat që i merr Kosova si shtet në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

“Takimi u bë në prag të Konferencës të cilën e ka organizuar Qeveria kroate me temë: “Konferenca për të ardhmen e Evropës dhe kontributi i Kroacisë”, thuhej në njoftim.

Afera e GEN-it në Serbi, Berishajt dhe Golobit

Sipas televizionit slloven, Planet TV, rreth 600 mijë euro para cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit thuhet se ka pasur rolin e “mushkës” apo transportuesit të parave.

Në xhirollogarinë e MB Consulting, kompani në pronësi të Berishajt e regjistruar në Mal të Zi, nga GEN-i serb janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj, përcjell Demokracia.com.

Ky televizion ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania GEN ka marrëveshje për këshillime.

Lidhur me rastin kishte reaguar edhe ambasadori Berishaj, i cili kishte paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi, por nuk ka mohuar dhe as pohuar që kompania në fjalë është e tij. Prej të premtes, nuk ka pasur ndonjë reagim tjetër nga ai.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani në një përgjigje fillimisht e kishte cilësuar si “dezinformatë” dhe “konstatim” këtë çështje, por më vonë ajo e zbuti qëndrimin e saj, duke thënë se i ka kërkuar raport ambasadorit Berisha.

Njëjtë edhe kryeministri Kurti, i cili e ka mik të mirë ambasadorin Berishaj, duke cituar fjalët e këtij të fundit, tha se raportimet e mediave sllovene janë të pavërteta.

Afera Golob dhe Berishaj, që nxiti më së shumti debate në Slloveni gjatë kësaj jave, ishte top-skandal financiar rajonal. /Demokracia.com/

Të ngjashme